Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Puna e komisionit hetimor parlamentar anti-Rama është pezulluar ndërsa palët akuzojnë njëra-tjetrën si shkaktare të bllokimit. Kryetari i komisionit Sokol Olldashi, pasi ka konstatuar mungesën e anëtarëve socialistë, ka deklaruar se mbledhja formale e komisionit është e pamundur, ndërsa ka lexuar para mediave, dosjen “Hanovër 2000”, e përgatitur nga ekspertë të Institutit Kontabël, sipas të cilëve Ministria e Kulturës ka bërë një shpërdorim fondesh prej 852 mijë markash.

Sokol Olldashi:- “Sigurisht që në këtë pikë, unë do të respektoj ligjin, siç kam bërë me të gjitha procedurat deri tani dhe nuk mund të konsiderojë formale një mbledhje pa kuorum. Ajo që po ndodh sot është një vazhdim i një procesi që ka nisur të paktën prej muajsh. Jeni dëshmitarë të bllokimit të vazhdueshëm që i është bërë këtij komisioni, nga ana e përfaqësuesit të PS, i klimës, i tensionit, që janë munduar në çdo moment të ngrenë në këtë komision”.

Ndërkohë në një prononcim veçmas për mediat, komisionerët e PS kanë akuzuar kryetarin Olldashin, si shkaktar të pezullimit të punës së komisionit, Sipas nënkryetarit Bardhyl Agasi, puna e komisionit, po kontrollohet në mënyrë arbitrare nga kryetari Olldashi.

Bardhyl Agasi:- “Rezulton që duke filluar nga dita e sotme është krejt i bllokuar dhe kjo ndodh për faj të qëndrimeve të kryetarit të këtij komisioni zotit Sokol Olldashi, i cili vazhdimisht ka vepruar në mënyrë krejt arbitrare dhe të njëanshme, duke thyer rregulloren, e cila megjithëse është miratuar me konsensus të plotë, akoma nuk ndodhet në duart e komisionerëve, duke shkelur ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare”.

Komisionerët socialistë kanë deklaruar, se janë autorizuar nga PS, për t’u shkëputur nga çdo detyrë tjetër partiake dhe parlamentare, me qëllim që të arrihet në kohë përfundimi i punës së komisionit, që sipas deputetin Fatmir Xhafa është sabotuar nga kryetari Olldashi.

Fatmir Xhafa:- “Është një skenar i mirpërcaktuar nga zoti Olldashi për ta sabotuar nga zoti Olldashi për ta sabotuar qëllimin e vërtet të ngritjes së këtij komisioni. Kjo është arsyeja që ne insistojmë dhe i kërkojmë zotit Olldashi, duke marrë mirëkuptimin edhe të forcës tonë politike është vendosur, që të 6 ne komisionerët socialistë të shkëputemi nga çdo detyrim tjetër politik dhe parlamentar dhe i kërkojmë që komisioni të fillojë të funksionojë paradite dhe pasdite në ditët e mbetura, për të prezantuar dosjet sipas një kalendari”./tvklan.al