Lajme Arkiva 2003

Bllokohet procesi i numërimit të votave në qendrën e votimit 1999. Menjëherë sapo ka nisur numërimi i fletëve të votimit në këtë qendër votimi , është vënë re se shumë fletëvotimi që i përkisnin kryetarëve për minibashki, janë hedhur gabimisht në kutitë e votimit për kryetar të bashkisë qendrore dhe e anasjellët.

 Kryetari i komisionit, përfaqësues i Partisë Demokratike, zoti Skënder Cika nuk ka pranuar që këto fletë votimi të quheshin të vlefshme dhe ka hasur në kundërshtimin e nënkryetarit dhe komisionerëve të tjerë socialistë, të cilët kanë kërkuar që procesi i numërimit  të votave të vazhdonte duke i quajtur të vlefshme këto fletë votimi.

Skënder Cika: Në kutinë e Bashkisë së Tiranës, janë gjetur vota të njësisë bashkiake numër 10. Këtu ka dal ndarja dhe bllokimi përfundimtar me komisionin. Sepse insistimi im si kryetar, në mbështetje edhe të udhëzimit të tretë të lëshuar nga komisioni qendror i zgjedhjeve , ato vota nuk mund të quhen të vlefshme. Sepse janë dy procese votimi, një për Bashkinë e Tiranës dhe një për njësitë bashkiake dhe konsiderohen dy procese votimi dhe nuk mund të pretendohet që vota që gjendet, e njësisë bashkiake, te Bashkia e Tiranës, me duart tona si komisionerë ta marrim dhe të shkojmë ta hedhim të Bashkisë së Tiranës te njësia bashkiake, se ndryshe s’kishim pse të thërrisnim zgjedhës.

Gazetarja: a ka qenë një ngatërrim i zgjedhësve ky?

Skënder Cika: Po mund ta ketë bërë me qëllim, mund ta kenë bërë 10 zgjedhësa.

Gazetarja: A konsiderohet manipulim kjo?

Skënder Cika: Jo nuk e konsideroj manipulim, por kur në kutinë e Bashkisë së Tiranës gjendet vota e njësisë bashkiake numër 10, ajo nuk është votë e vlefshme.

Gazetarja: A ka qenë ndonjë anëtar i komisionit i cili ti orientonte votuesit se ku ti fusin votat?

Skënder Cika: Është e nënshkruar edhe nga zotërinjtë edhe nga zëvendës kryetari, janë ndarja e detyrave.

Gazetarja: I kujt ka qenë ky përfaqësues, i kujt partie?

Skënder Cika: I Partisë Demokrati.

Gazetarja: Ai nuk e ka kryer detyrën e tij?

Skënder Cika: Këtë nuk mund ta them, ai mund ta ketë kryer shumë mirë. Sepse në qoftë se në 500 votues kanë gabuar 10 vetë ose 30 vetë, mund të thuash që se ka kryer detyrën mirë? Sepse i bie diku 5%, atëherë e ka kryer 95% mirë.

“Votuesit, sidomos ata pleqtë e nderuar që mezi shikonin nga sytë nuk u orientuan mirë nga ata anëtarët e komisionit që qëndronin aty dhe gabimisht fletën e votës së tyre në vend që ta vinin në kutinë për bashkinë e kanë vënë në kutinë për minibashkinë, për njësinë bashkiake numër 10 dhe e kundërta. Nga kryetari i komisionit nuk na u lejua që ato fletë votimi, që ishin hedhur gabimisht nga një kuti në tjetrën, të kalonin në kutinë përkatëse, se nuk është ndonjë gjë fatale për këtë. Madje siç pyetëm edhe kolegët tanë në qendrat e tjera të votimit edhe andej kishte gjera të tilla”.

Në pritje të vendimit që o të marrë komisioni qendror zgjedhor, komisionerët e kësaj qendre votimi qëndrojnë të ngujuar që prej mëngjesit të djeshëm në ambientet e shkollës “Qemal Stafa” ku është e vendosur edhe qendra e votimit 1999./tvklan.al