Shqipëria ka thyer nje tjeter rekord sa i takon flukseve të fluturimeve nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.

Sipas klasifikimit të këshillit ndërkombëtar të aeroporteve, vendi ynë ka rritur me 260.8% fluturimet në muajin Prill krahasuar kjo me vitin 2019.

Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në rrjete sociale nga Kryeministri i vendit Edi Rama, sipas së cilit rritja e zinxhirit të vlerave nga sezoni turistik do të përkthehet në më shumë të ardhura për qytetarët shqiptarë.

“Edhe Prilli me rritje mbresëlënëse, sepse Shqipëria e Rilindur Turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur, ndërkohë vetëm sytë e disa shqipove që nuk duan të shohin nuk e shohin, po më mirë kështu se na mbrojnë nga syri i keq. Ndërkohë rriten të ardhurat në ekonominë familjare të kujtdo që ka lidhje me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit, rriten investimet në infrastrukturën e mikpritjes, rriten punësimi dhe pagat në sektorin e shërbimeve, rriten edhe të hyrat në arkën e shtetit pa rritur taksa, rritet edhe krenaria e dinjiteti i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”.

Siç vihet re në publikimin e fundit, Shqipëria lë pas shumë shtete si Greqia, Portugalia, Turqia, Spanja apo Italia.

Tv Klan