Për herë të parë Lëvizja Socialiste për Integrim shpall emrat e deputetëve që do të deklarohen në datën 6 shtator në grupin e ri parlamentar socialist. Për Televizionin Klan anëtari i kësaj lëvizje Spartak Braho konfirmon zyrtarisht 10 deputetë.

Spartak Braho: “Zoti Meta, zoti Brokaj, Alushi, Muçi, Kyremadhi, Dizdari, Legisi, Braho, Prifti. Këta janë. Edhe zotin Çaçi e përmenda.”

Ajo çka bie në sy mes emrave të njohur të kësaj lëvizjeje, është përfshirja e dy deputetëve të kampit tjetër socialist Alushi dhe Çaçi ndërkohë që Braho pranon se janë ofruar dhe 6 emra të tjerë brenda Partisë Socialiste si dhe deputetë të partive të tjera aleate.

Spartak Braho: “Shifra mund të shkojë deri në 20 deputetë të tjerë të cilët mund të përbëjnë grupin parlamentar të LSI-së. Në datën 6 shtator gjatë paradites gupi nismëtar do të miratojë programin, statutin dhe forumet drejtuese të partisë së re. Më pas 500 anëtarët do të miratojnë themelimin e partisë.”

Spartak Braho: “Do t’i paraqitet po atë ditë gjykatës sipas kërkesave që parashikon ligji për themelimin e partive. Paraprakisht është gjykuar që ky formacion i ri politik të titullohet Lëvizja Socialiste për Integrim.”

Sipas drejtuesit Ilir Meta, në datën 6 shtator Lëvizja Socialiste për Integrim do të paraqitet si forca e tretë politike në kuvend.

Ilir Meta: “Ne prej kohësh e kishim bërë të qartë se, nëse nuk do të pranohej platforma jonë për integrim, 6 shtatori do të ishte afati i fundit që do të shndërronte Lëvizjen Socialiste për Integrim në forcën e re politike të vendit. Pa dyshim që ne do të jemi grupi i tretë parlamentar në fillim të sesionit dhe një grup i cili do të rritet më tej në muajt dhe në javët në vazhdim.” /tvklan.al