Pagesat me kartë po rriten me ritme të shpejta edhe për këtë vit në vendin tonë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 8.85 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes.

Numri i pagesave me kartë është rritur me 36% krahasuar me 6-mujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërkohë, vlera totale e pagesave me kartë për 6 muaj ka arritur në 37 miliardë lekë, me një rritje prej 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke pasur parasysh se periudhat e pikut turistik korrik-gusht, pritet që pagesat më kartë të jenë edhe më të larta, sidomos për gjysmën e dytë të vitit.

Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit është ndër faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në Shqipëri. Megjithatë, përveç ndikimit të ndjeshëm të turizmit, vlerësohet se edhe përdorimi i pagesave me kartë nga rezidentët është në rritje në vitet e fundit, sidomos pas periudhës së pandemisë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 21,775 duke pësuar rritje të mëtejshme me 23% krahasuar me mesin e vitit të kaluar.

Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi. Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, dhe me një nivel të konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në mesin e vitit 2024 numri i kartave bankare aktive arriti në 1.48 milionë, ku rreth 1.3 milionë janë karta debiti, ndërsa karta krediti aktive janë rreth 121 mijë.

Klan News