Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Tre policët e akuzuar për moskallëzim të krimit të vrasjes së Gazmend Tahirllarit, si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij prej një oficeri policie, do të qëndrojnë në burg pa afat, deri në dhënien e vendimit nga gjykata e rrethit të Korçës. Tre efektivët e grupit të gatshëm, që merrnin pjesë në shoqërimin e të ndjerit Tahirllari, janë akuzuar për moskallëzim krimi, vepër penale, që sanksionohet me gjobë deri në disa vite burg.

Tre policët Albert Myftari, Sokol Gorishta dhe Robert Qyli kanë kundërshtuar akuzën dhe mbajtjen në qeli, duke u futur dhe në grevë urie, çka i bëri ata të përfundojnë ën spital, pas një gjendje kritike të rënduar, gjatë tre ditëve të grevës.

Ata i kërkuan gjykatës, zbutjen e masës së sigurisë, në ndjekje në gjendje të lirë, ose arrest shtëpie. Kjo kërkesë është hedhur poshtë në një seancë të fundit gjyqësore, ku është vendosur që tre ish-policët të qëndrojnë në paraburgim, deri në dhënien e vendimit për akuzën ndaj tyre./tvklan.al