37 – vjeçari Kostandinos Shakaj, që u arrestua nga policia si një nga të dyshuarit e grabitjes së një banke të nivelit të dytë në qendër të Vlorës, u la në burg nga gjykata.

Prova kryesore që ka paraqitur prokuroria kundër Shakajt janë pamjet filmike të një kamera sigurie, që ai shihet duke vjedhur automjetin që është përdorur në grabitjen spektakolare.

37 – vjeçari shihet duke qëndruar fillimisht pak metra larg automjetit. Më pas ka hapur derën, është futur në automjet dhe është larguar.

Një ditë më vonë, me këtë automjet u kryer grabitja e bankës. Makina që u gjet e braktisur në lagjen “28 Nëntori” është edhe prova më e fortë për implikimin e Shakajt në grabitje.

Hetuesit kanë dyshime të arsyeshme se ai dhe bashkëpunëtori i tij janë autorët e grabitjes së 6 milionë lekëve të reja dhe 33 mijë eurove.

Kostandinos Shakaj është person me precedent penal të mëparshëm në Shqipëri dhe Greqi, i dyshuar të paktën për 5 vepra penale, si vjedhje me dhunë, kryer në bashkëpunim, tentativë vrasje, dhunë në familje dhe kanosje.

Tv Klan