Paqëndrueshmëri, frikë dhe recension. Me këto tre fjalë mund të përmbledhësh gjendjen aktuale të tregut financiar në botë.

Vetëm 24 orë bursat kanë treguar mungesë të theksuar stabiliteti me ngritje dhe rënie drastike duke përjetuar një tjetër ditë të zezë.

Pavarësisht rritjes së vlerës së aksioneve në indeksin e Dow Jones bursat në Evropë dhe Azi kanë vazhduar të jenë të dobëta përballë rrezikut.

Bursa e Londrës, Parisit, Milanos dhe Frankfurtit janë hapur me shifra negative nga -3 në -7.52%, çka tregon qartë lëngimin e financave në këto tregje.

Në Azi situata vazhdon të përkeqësohet me humbje të thella. Vlera e aksioneve në indeksin japonez, Nikkei, ka rënë me 9.6%, ndërsa indeksi koreano-jugor, KOSPI, e mbylli ditën me rezultatin më të keq që prej fillimit të krizës financiare. Humbjet e regjistruara ishin në kuotën e 10.6%.

Duke analizuar atë çka po ndodh në tregjet financiare ekonomistët mendojnë se është e kotë të mohohet që Britania, Italia apo dhe Shtetet e Bashkuara po rrëshqasin drejt humnerës së recensionit.

Për ta ekonomitë në botë po vërtiten rreth një spirale dhe asnjëri prej tyre nuk po shkëputet prej saj duke i dhënë mundësinë vetes të dalë nga kriza.

Efektet e kësaj situate po ndihen edhe në prodhimin dhe shitjen e naftës. Sot vendet e organizatës prodhuese të arit të zi diskutojnë në Vjenë për atë që do të bëjnë në kushtet e kërcënimit të stoqeve dhe çmimit që duhet të ketë nafta./tvklan.al