Lajme Arkiva 2004

Buxheti gjyqësor për vitin 2004 nuk ka asnjë fond për Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në momentet e hartimit të buxhetit Ministria e Drejtësisë kishte planifikuar financim nga projekti evropian CART, por ky projekt nuk është realizuar.

Në takim me kryetarin e parlamentit  dhe kryetarin e komisionit të ligjeve krerë të drejtësisë kanë kërkuar një zgjidhje urgjente si për godinën e kësaj gjykate dhe për sigurinë e gjyqtarëve dhe trajtimin  e tyre.

“Ishte një domosdoshmëri  dhe është një gjë e padiskutueshme që kjo gjykata duhej krijuar, madje duhej krijuar më shpejtë. Ishte një kërkesë  e jona edhe e komunitetit ndërkombëtar, por problemi është se sigurimi me këto kushte nuk mund të punohet”.

Kryetari i Gjykatës për Krimet e Rënda Sandër Simoni është shprehur se kjo gjykatë nuk mund ë përballojë  dot fluksin e dosjeve  të pritshme me një trup të vetëm gjykues dhe me ambiente të marra borxhe nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Kryetari i parlamentit Servet Pëllumbi ka qetësuar drejtuesit e gjyqësorit për krimet e rënda, se shumë shpejt do të vihet në dijeni qeveria për të marrë masa sa më të shpejta.

Deri më tani nuk është caktuar  nëse do të  ndërtohet një ambient i ri për këtë gjykatë apo do të adaptohet një ambient ekzistues./tvklan.al