Javën e ardhshme Bashkimi Europian do të marrë pjesë në samitin e G20 për ekonominë, por me një lidership të vënë në pikëpyetje ,me dobësi të ekspozuara dhe një krizë të theksuar uniteti. Kryeministri Çek Mirek Topolanek i tha Parlamentit Europian, se udhëheqja e bllokut nuk do të ndikohet aspak nga rënia e qeverisë së tij, por më pas e quajti planin amerikan të shpëtimit të ekonomisë si “rruga drejt ferrit”.

Evropa ka bërë mirë deklaroi ai që vendosi të mos ndjekë shembullin e Uashingtonit në këto tendenca proteksioniste të ekonomisë. Një deklaratë e tillë përbën një problem serioz, sepse Topolanek supozohet të deklarohet në emër të Evropës në përgjithësi dhe në samitin e G20, ai do të jetë i pranishëm në cilësinë e presidentit evropian, ndërkohë që vendet e tjera anëtare kërkojnë një bashkëpunim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara për shpëtimin e ekonomisë globale.

Akoma nuk dihet çfarë ndikimi do të ketë komenti “rruga për në ferr” gjatë takimit të Topolanek me Obamën. Për deputetët evropianë Çekia ka rrënuar solidaritetin evropian dhe nuk e ka kuptuar akoma rëndësinë e presidencës që tashmë mbetet në duart e një qeverie të rrëzuar./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle