Në të mirë e në të keq Evropa duhet të jetë e bashkuar. Ky ishte konkluzioni i krerëve të shteteve dhe qeverive evropiane të mbledhur në Bruksel për t’i dhënë një përgjigje pyetjes: Çdo të bëhet me krizën?

 Më herët Hungaria kishte propozuar krijimin e një fondi të veçantë prej 180 miliardë eurosh për të ndihmuar vendet e Evropës Lindore të goditura nga kriza.

Kryeministri hungarez, Ferenc Gyurcsany, paralajmëroi për vendosjen e një perdeje të hekurt ekonomike nëse vendet e goditura nga kriza nuk mbrohen nga Brukseli, por kërkesa është hedhur poshtë nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian, të cilët vlerësojnë se kjo do të çonte në krijimin e një blloku të ri të lindjes, një getoje ekonomike brenda Evropës së re.

Kryeministri çek, Mirek Topolanek, vendi i të cilit ka kryesinë e radhës së BE-së, foli për pasojat e rrezikshme të ndarjes së Evropës në jug, veri, lindje apo perëndim.

Një gjë e tillë, tha ai, do të ishte në dëm të kontinentit dhe do të provokonte padyshim panik. Liderët evropianë janë nga ana tjetër pro ndihmave për secilin rast dhe për secilin shtet dhe jo në blloqe. 

Samiti jo formal i krerëve të shteteve dhe qeverive anëtare të BE-së u mblodh dy javë e gjysmë përpara atij tradicional të pranverës, ku kërkohen mënyrat më efikase që kriza financiare, e cila është ulur këmbëkryq në të gjithë kontinentin të mos përsëritet më./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle