Kombëtarja e Çekisë ka marrë një goditje të fortë përpara nisjes së kampionatit europian

Një nga titullarët e përfaqësueses, mesfushori Michal Sadilek, është detyruar të tërhiqet nga turneu, pasi është rrëzuar nga një biçikletë.

25-vjeçari i cili aktivizohet te ekipi holandez i FC Twente pësoi një të çarë të thellë si pasojë e rrëzimit, njoftoi federata çeke e futbollit.

Ai ishte pjesë e kampionatit europian të shkuar, ndërsa mbajti shiritin e kapitenit në miqësoren e fituar kundër Maltës me rezultatin 7-1.

Trajneri Ivan Hasek e pranoi se mungesa e yllit të ekipit është një humbje e madhe. Futbollisti ka luajtur në 24 takime me përfaqësuesen çeke dhe për teknikun konsiderohet si një nga elementët më me eksperiencë.

Sadilek luajti edhe në pesë ndeshje gjatë fazës kualifikuese të Europianit. Çekia do të luajë miqësoren e fundit kundër Maqedonisë së Veriut më 10 Qershor, ndërsa sfidën e parë në Gjermani 2024 do të ketë kundër Portugalisë më 18 Qershor. Rivalë të tjerë në grup janë edhe Gjeorgjia dhe Turqia.

Klan News