1 milionë dollarë në vit, me opsion rinovimi edhe për një sezon të dytë. Kjo është kontrata që Sokol Cikalleshi nënshkroi me klubin Tractor SC të kampionatit Iranian të futbollit.

Tv Klan mësoi ekskluzivisht se Cikalleshi iu nënshtrua testeve mjekësore paraditen e së shtunës në një klinikë në Stamboll. Pas kalimit me sukses të kësaj procedure, mëngjesin e së dielës ai iu drejtua qytetit Tabriz. Pas bisedimeve disa orëshe u arrit edhe marrëveshja që do të lidhë lojtarin me klubin, për një sezon me opsion rinovimi edhe për një të dytë.

Cikalleshi nuk humbi kohë. Pak orë pas ndarjes me Konyaspor, menaxherët e tij u vunë në kontakt me disa klube që dëshironin futbollistin, por Tractor shprehu interesimin më të madh si dhe nga ana tjetër bëri ofertën më të mirë për lojtarin. Sezonin e kaluar cikalleshi luajti 33 ndeshje për Konyaspor duke shënuar 12 gola, si një nga sulmuesit e huaj më të mirë të klubit turk.

Cikalleshi ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të kombëtares shqiptare gjatë fushatës kualifikuese për në Europian. Por sulmuesi më pas nuk ishte pjesë e përfaqësueses në finalet e gjermanisë. Ai më pas deklaroi largimin nga përfaqësuesja.

Tv Klan