Çmimet në tabletat e disa prej pikave të furnizimit me karburant në kryeqytet kanë ndryshuar kuotë paraditen e së shtunës. Ulja e çmimeve u vërejt më së shumti në zonat periferike të kryeqytetit. Siç shihet benzina njohu uljen më të madhe me rreth  9 lekë për litër ndërsa nafta me vetëm 4 lekë.

Por disa ditë më parë televizioni klan publikoi çmimin prej 84 lekësh për litër me të cilin benzina del nga dogana, përfshirë këtu koston e blerjes , akcizën, TVSH-në dhe detyrime të tjera. Edhe nëpërmjet krahasimit me rreth 2 vite më parë kur nafta në bursë dhe kursi i këmbimit dollar lekë ishte në gati të njëjtat nivele si edhe tani, çmimet e karburanteve rezultuan në kuota deri 40 lekë më të larta.

Prandaj pavarësisht përpjekjes të një pjese të tregtarëve për të ulur çmimet, mund të thuhet se karburantet në vend vazhdojnë të mbeten në nivele tepër të larta duke rënduar direkt xhepat e shqiptarëve.

Ekspertët pohojnë se tregu vendas vijon të mbetet i ngrirë në drejtim të reflektimit të bursës ndërkombëtare ku ari i zi zbriti sërish në nivelin e 40 dollarëve për fuçi nga 50 dollarë të disa ditëve më parë. Në këtë pikë deri me tani edhe shteti nuk ka mundur që të luajë rolin e vet si rregullator. Mbi abuzimet dhe çrregullimet e tregut të karburanteve është ndërmarrë një hetim i thelluar nga autoritet i konkurrencës, rezultatet e së cilës pritet që të dalin brenda disa ditësh./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro

Montazh: Ergis Hasanbelli