Edhe pse qytetarët në mbarë botën i janë gëzuar uljes së ndjeshme të çmimit të naftës nën 40 dollarë për fuçi, kjo nuk ka ndodhur me konsumatorët shqiptarë. Pikat e shitjes ne gjithë vendin kanë mbajtur të pa lëvizura çmimet e karburanteve të fiksuara muaj më parë, pavarësisht pikiatës që ka marrë ari i zi në tregjet botërorë.

Në ato raste kur tabelat e furnizimit me karburant kanë ndryshuar, ulja e çmimit ka qene qesharake, e nuk ka shkuar më shumë se 2 deri në 5 lekë për litër. E trajtuar vazhdimisht në kronikat e televizionit Klan, të tilla ulje janë simbolike në krahasim me përfitimin që kanë tregtarët nga luhatja e çmimit të karburanteve në bursa.

Një përllogaritje e thjeshte e çmimit të blerjes në bursë dhe taksave të paguara shtetit, nxjerr në pah se abuzimet luhaten mes 35 dhe 40 leke për çdo litër. Ky abuzim rëndon vetëm mbi xhepat e qytetarëve shqiptarë, të cilët paguajnë, çmimet më të shtrenjta të karburanteve në gjithë rajonin.

Lidhur me këtë  ekspertët pohojnë se tregu vendas mbetet jo fleksibël për sa i përket karburanteve duke theksuar nevojën e ngritjes së një enti rregullator që do të kontrollojë abuzimet e çmimeve në treg.

Ndërkohë Autoriteti i Konkurrencës tashme është në përfundim të një hetimi të gjerë të nisur prej pranverës. Në pritje të konkluzioneve çmimi i karburanteve do të vazhdojë të mbetet vetëm në dorën e tregtarëve. Por edhe pas publikimit të rezultateve, nuk është ende e qartë se si do të ndërhyhet në këtë treg për t’u dhënë njëherë e mirë këtyre abuzimeve, që krahas qytetareve prekin edhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë në vend./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro

Montazhi: Ergis Hasanbelli