Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas kthimit nga Beogradi, Dashamir Shehi kryetar i Partisë Demokrate të Rinovuar, shpjegon mospjesëmarrjen e tij në seancë, kur u votuan emrat e ministrave të rinj. Sipas Shehit, vajtja e tij ishte parashikuar kohë më parë, në një konferencë të NATO-s, për të cilin ishte në dijeni edhe parlamenti.

Rreth situatës së fundit, Shehi i bashkohet idesë së opozitës për zgjedhje të parakohshme, me anë të një mocioni mosbesimi të qeverisë, pasi rrëzimi i saj është i sigurt.

Dashamir Shehi:- “Kam qenë jashtë shtetit në një aktivitet të NATO-s dhe sigurisht që NATO i planifikon me muaj përpara gjërat edhe kuvendi vetë, kështu që nga kjo pikëpamje as unë vetë nuk hedh fall kur jep dorëheqjen ministri dhe do të bëhen edhe njëherë votimet ne Kuvend”.

Gazetarja: Cilat janë rrugët që do të ndjekë opozitë për zgjedhje të parakohshme?

Dashamir Shehi:- “Unë nuk do të isha kundër edhe idesë që të kërkohej votëbesimi i kësaj qeverie, në qoftë se bien dy ministra, mund të bjeri edhe gjithë qeveria edhe kjo mund të ishte një nga rrugët. Megjithatë ka shumë rrugë të tjera e të mundshme. E rëndësishme është që të jemi homogjen, me një ide, që duam zgjedhje të parakohshme në pranverën e vitit që vjen, e dyta që me këtë kod elektoral nuk bëhen zgjedhje”.

Gazetarja: Votbesimin duhet ta kërkojë opozita apo kryeministri Nano?

Dashamir Shehi:- “Unë them që votëbesimin duhet ta kërkojë opozita, kryeministri s’ka ç’kërkon më nga kjo punë. U bë dy herë që votohet pjesërisht dhe dy herë që bie”. Edhe Partia e Ballit Kombëtar ka shpjeguar arsyet e mungesës së kryetarit të saj Shpëtim Rroqi në seancë.

Uran Metko:- “Presim që zoti Rroqi të vijë, pasi ai ka ikur për një arsye familjare dhe ikja ka qenë urgjente, prandaj ne do të presim sa ai të kthehet dhe ai do të jetë i hapur me shtypin”./tvklan.al