Parlamenti mbajti një minutë heshtje në nderim të gjimnazistëve kosovarë që humbën jetën tri ditë më parë me kërkesë të liderit demokrat Berisha. Ndërsa deputeti Nikollë Lesi akuzoi kryeministrin për papërgjegjshmëri nisur nga mungesa e tij si në këtë tragjedi, ashtu dhe në atë të 9 janarit.

Nikollë Lesi: “Sipas një njoftimi të zyrës së qeverisë shkoi për një operacion në sy në Selanik. Nga Televizioni kombëtar Klan pamë sot që zoti kryeministër ishte në diskot më të mëdha të Selanikut në ditën e zisë kombëtare. Në vend që kryeministri të qëndronte këtu, ai nuk kishte sëmundjen e apandesitit që duhej urgjent të operohej, një pastrim syri ka pasur, që natyrisht i uroj shërim të shpejtë, por kjo tregon që kryeministri është i papërgjegjshëm dhe në ditën e zisë kombëtare shkon e kërcen dhe feston në diskon më të madhe të Selanikut.”

Gjatë miratimit të kalendarit dyjavor, demokratët dhe socialistët kanë hasur vështirësi në repsektimin e marrëveshjes së firmosur mes dy kryetarëve Ruçi-Topi, por socialistët sërish kanë hapur rrugë duke pranuar propozimin e demokratëve për të kaluar në seancën e së enjtes si ndryshimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe projektligjin për listat e zgjedhësve.

Sali Berisha: “Është gjetur një mekanizëm, që në kundërshtim me vendimin e firmosur nga bashkëkryetarët, të ndahen në kohë dhe kjo tërësisht vetëm për shkak të një përpjekjeje të re për të hedhur poshtë atë që është firmosur.”

“Ne si mazhorancë përfundimisht nuk kemi asnjë paragjykim për këtë çështje. Unë, kryetarit të grupit parlamentar të PD-së ia kam ofruar ose ia kam pranuar, më mirë me thënë, të dy opsionet.”

Pas miratimit të kalendarit dyjavor të punimeve të Kuvendit, seanca ka vijuar me interpelanca ndaj ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe ministrit të Pushtetit Vendor, kërkuar nga deputeti Pjetër Arbnori./tvklan.al