Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Vetëm pas 5 orë diskutimesh, pushimesh, shtyrjesh, debatesh mes deputetëve të opozitës dhe pozitës, byroja parlamentare e mbledhur në fund të seancës ka mundur të vendosë, miratimin e kalendarit dyjavor të punimeve me ndryshimin, që projektvendimi për komisionin për Ramën të kalojë të hënën e ardhshme. Ndërkohë edhe tabela e njoftimeve të parlamentit, ka mbetur peng i komisionit Rama, ku gjatë gjithë seancës parlamentare nuk është shënuar asgjë në të.

Në seancë janë shënuar megjithatë, replikat e ashpra mes kryeministrit Fatos Nano dhe shefit të opozitës Berisha. Ndërsa Berisha i ka bërë thirrje Nanos të pranojë komisionin dhe të mos çojë vendin drejt krizave, kryeministri e ka parë të pashpresë qëndrimin e opozitës, madje është shprehur i sigurt, se këtë herë nuk do të ketë as aleanca fluide, duke aluduar haptazi për ish-kryeministrin Meta.

Kryeministri Fatos Nano:- “Ju kujtoni, se duke bllokuar Kuvendin, mund të provokoni ndonjë krizë që çon në zgjedhje të parakohshme. I dashur shoku Sali, koha e aleancave të tua fluide ka marrë fund”.

Sali Berisha:- “Pranoni komision hetimor, lëri mesazhet e Edvinit, mos i cito mesazhet e Edvinit këtu në Parlament. Ridimensiono qëndrimin ndaj lirisë së shtypit, për aleanca. E vërteta është që nuk ka nevojë për to, pasi anëtarët e kësaj qeverie i hakërrejnë sytë njëri-tjetrit, gjithë ditën denoncojnë njëri-tjetrin tek ne. Unë s’kam nevojë për aleancë tjetër”.

Berisha ka replikuar dhe me deputetin e PS Bardhyl Agasi, pas diskutimit të tij ku ka përmendur se media duhet të jetë prezent, vetëm gjatë seancave me replika. Edhe këtë rast Berisha e ka cilësuar si revansh të politikanëve të PS ndaj shtypit të lirë.

Sali Berisha:- “Që në momentin kur del për të censuruar mediat, ti je një terr në Parlament, ti je një terr informativ në Parlament, ç’është kjo kulturë anti-demokratike që shpërthen këtu, ç’është kjo alergji ndaj mediave që keni ju? Rregullorja e parlamentit kërkon që seancat të jenë të hapura. Nga i ke futur këta talibanë në Parlament, ç’janë këta more?”/tvklan.al