Diskutimet në mbledhjen e këshillit bashkiak zgjatën për afro katër orë e 30 minuta, shpeshherë me tone të ashpra mes këshilltarëve demokratë e atyre të LSI-së me kryetarin e bashkisë, Rama dhe përfunduan në një situatë kaotike.

 Mbledhja u ndërpre pas një amullie të krijuar në sallë me hedhjen në votë të projektbuxhetit.

Socialistët numëruan votat pro, por nuk pranuan të numërojnë votat kundër dhe abstenim duke e konsideruar projektbuxhetin të miratuar, por për shkak të mosnumërimit të të gjithë votave kryetari i këshillit bashkiak, Sokol Dervishi, e shpalli votimin të pavlefshëm .

Sokol Dervishi: “Ky është votim i pavlefshëm. Do të njoftoheni për mbledhjen e radhës”.

Gjatë diskutimit të projektbuxhetit nuk munguan akuzat deri në fyerje mes të pranishmëve.

Gent Strazimiri: “Është kthyer ekzaktësisht për 1.6 miliard lekë që zotëria që është atje i mban në një thes të vetin të padetajuar dhe thotë se do i jap unë thotë për bazë, një minutë mo një minutë. Ore prit, mos më ndërprit. Mos më ndërprit more jo. Jo mor jo, e dua këtu unë vendim. Leje çfarë muhabeti. Absolutisht jo, nuk është. Gënjen. Ta harrosh ti se do marrësh buxhet me 1.6 miliard lekshin që e mban ti në thes. Ti e harron këtë gjë. 14 milion euro për ty mund të jenë kodër e vogël. Filofozia jonë është tjetër. Të fusim në burg për 14 euro.”

Por ndërsa këshilltarët socialistë e konsideruan si të votuar këtë projektbuxhet kryetari i këshillit bashkiak e ka hedhur poshtë këtë pretendim edhe pas përfundimit të mbledhjes, duke sqaruar se votimi ka qenë i pavlefshëm edhe nëse projektbuxheti ka marrë votat e nevojshme.

Sokol Dervishi: “Në momentin që një votim nuk është i përfunduar ky është një votim i paplotë dhe duhet respektuar e drejta e çdokujt këshilltari të shprehi votën e tij në momentin e votimit, qoftë kjo pro, qoftë kjo kundër, qoftë kjo abstenuese, prandaj ka edhe tre shkallë votimi. Duhet verifikuar numri i saktë i votave pasi në një moment tensionues dhe numërimi ishte në tension në vetvete, kështu që unë besoj që gjatë ditëve të ardhshme do të shikojmë edhe në raport me procedurat se si do të veprohet”.

Në votimin e 19 Janarit projektbuxheti i bashkisë u hodh poshtë me 30 vota, ndërsa 20 këshilltarë votuan pro tij./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami