Vazhdon debati për parkingjet nëntokësore në Tiranë. Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Bashkia e Tiranës ka replikuar për këtë çështje gjatë ditës së sotme.

Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, thotë se të parët që duhet të përfitonin nga parku Rinia duhet të ishin pronarët e truallit.

Petrit Vasili: “Grupi ynë i këshilltarëve do të kërkojë anulimin e këtij vendimi, i cili ka lejuar një koncesion në favor të një përdoruesi, i cili ndodhet në parkun Rinia, duke përbuzur të gjitha procedurat dhe format qoftë nga mënyrat e dhënies së koncesionit dhe duke përbuzur të drejtën kryesore që pronarët legjitim duhet të ishin ata të parët, të cilët do të ishin në të drejtën e tyre për të përdorur, pra për të zhvilluar një pronë të tillë me interes të madh në qendër të qytetit”.

Por këtij reagimi i është përgjigjur bashkia e Tiranës nëpërmjet nënkryetarit, Eduard Shalsi, i cili ka treguar dhe dokumentet për pronësinë publike të parkut Rinia.

Eduard Shalsi: “Se parku Rinia është pronë publike dhe se asnjë metër katror gjelbërim e këtij parku nuk do t’i humbasë qytetit, përkundrazi mbi parkimin nëntokësor do të ndërtohet që do ndërtohet në pjesën pa pemë, do të rimbillet bar dhe do të mbillen madje edhe pemë të reja.”

Ndërtimi i parkingjeve nëntokësorë në parkun Rinia në Tiranë pritet të zgjidhë një herë e mirë problemin e trafikut për shkak të mungesës së vendparkingjeve./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka