Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kreu i KQZ ka reaguar kundër debatit për balancimin e institucionit të drejtuar prej tij. Sipas Celibashit në raportet e ndërkombëtarëve nuk citohet një kërkesë e tillë, ndaj partitë politike të lënë mënjanë interesat e tyre, pasi sistemi rrezikohet sërish nëse nuk zgjidhen në mënyrë urgjente dy probleme.

Ilirjan Celibashi: “Urgjentisht dhe shumë urgjentisht duhet që çështja e listës së zgjedhësve dhe ai i organizimit dhe funksionimit të komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta duhet të marrin zgjidhje sa më shpejtë që të jetë e mundur. Për çdo çështje tjetër qoftë kjo KQZ, apo procedurat e ankimimeve të apelimeve janë çështje të cilat mundet të rikonsiderohen edhe më vonë, mundet të ketë zgjidhje edhe më vonë. Personalisht jam këtu jo si shërbëtor apo vullnetar i ndonjë të treti, po jam në detyrën e anëtarit të KQZ bazuar mbi një mandat të marrë në mënyrë kushtetuese dhe të ligjshme dhe do të vazhdoj ta ushtrojë këtë detyrë sa kohë që interesat e mija personale në ushtrimin e kësaj detyre do të jenë të përputhshme me ato të votuesve”.

Pa komentuar propozimet e ekspertëve të OSBE-së, kryetari Ilirjan Celibashi tha, se u ka paraqitur partive politike dhe përfaqësisë së OSBE-ODIHR propozimin e tij, në bazë të të cilit KQZ është vetëm hartues i bazës ligjore dhe mban përgjegjësi për suportin teknik, ndërsa listat e zgjedhësve u delegohen kryetarëve të bashkive dhe komunave./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj