Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rrëzimi i dekretit presidencial për Marko Bellon në krye të diplomacisë shqiptare dje në parlament, ka detyruar kryeministrin shqiptar Fatos Nano të rinisë edhe një herë tratativat për gjetjen e emrit që do të zëvendësoj ministrin e dorëhequr Ilir Meta.

Ka qenë kjo arsyeja që kryeministri Nano ka zhvilluar një takim 60 minuta në Presidencë me Moisiun, rreth një orë përpara se të bëhej ceremonia e betimit të zëvendëskryeministres dhe Ministres së Integrimit Ermelinda Meksi. Nuk dihet me saktësi se çfarë është diskutuar mes Nanos dhe Moisiut në këtë takim kokë më kokë, por duket se kryeministri ka kërkuar që deri në Shtator të mos ketë një Ministër të Punëve të Jashtme, duke i marrë funksionet e plota të këtij të fundit, zv/ministri Hajdaraga.

Nano në një konferencë për shtyp që ka dhënë së bashku me zëvendësen e re të tij, zonjën Meksi, ka konfirmuar një lajm të tillë.

Kryeministri Fatos Nano:- “Politika e jashtme e shtetit shqiptar, nuk do të cenohet, nuk do të kufizohet dhe nuk do të ndryshojë. Parimet e politikës së jashtme të vendit, tashmë janë të përcaktuara qartë, pavarësisht se në zbatim të saj përkohësisht nuk do të kemi një ministër të jashtëm, por zv/ministrin e jashtëm. Mandati kushtetues i kryeministrit, nuk është i lidhur me mandatin e çdo ministri, veç e veç dhe as me të gjithë ministrat së bashku. Pozita kushtetuese e kryeministrit, krijohet mbi bazën e kompetencave kushtetuese që ai ka, duke nisur qysh me përbërjen e qeverisë dhe deri tek ushtrimi i detyrave qeverisëse. Më lejoni të kujtojë, se Kushtetuta i ka njohur kryeministrit, deri edhe të drejtën, për të shvleftësuar aktet që miraton Këshilli i Ministrave”.

Votimi i fundit në Kuvendin Popullor sipas Nanos tregoi, se në PS ka probleme për të zgjidhur.

Kryeministri Fatos Nano:- “Është e vërtetë që shfaqen tendenca për dalje nga logjika dhe disiplina politike e partisë, por tashmë fenomeni është i kufizuar vetëm në 5 apo 6 emra individësh, të cilët për një vend të kërkuar në mënyrë abuzive, në qeveri, pra të mandatuar nga strukturat përfaqësuese të partisë, po tregojnë se janë gati, të mos njohin apo respektojnë asnjë parim dhe rregull politik përfaqësimi. Unë i di rregullat e lojës politike dhe do ta konsideroja këtë grup individësh, si fraksion politik, nëse do të paraqesë përpara forumeve të partisë dhe opinionit të zgjedhësve tanë, një platformë politike me pikësynime të përcaktuara qartë”.

Ndërsa përsa i përket kërkesës së grupit që abstenoi gjatë votimit për Bellon, për rikompozimin e qeverisë kryeministri u shpreh.

Kryeministri Fatos Nano:- “Më lejoni t’ju them, që nuk kam ndonjë lajm të ri për këtë pyetje, përveç atyre që kam bërë të ditura në kryesinë e PS dhe në grupin parlamentar dhe arsyetimit më të fundit, që nuk lë asnjë hapësirë, për rikompozim tjetër në qeverinë që unë drejtojë”./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka