Lajme Arkiva 2003

Shoqata e Mediave Elektronike Shqiptare është e shqetësuar nga presionet e fundit të qeverisë shqiptare dhe personalisht kryeministrit Fatos Nano ndaj disa mediave të rëndësishme. Tendenca për të vënë në shërbim të pushtetit të tij personal, mbështetjen mediatike duke keqpërdorur autoritetin e Kryeministrit të Republikës dhe institucionet shtetërore si Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Policinë Tatimore dhe Ministrinë e Financave janë shenja të një epoke të vjetër e cila kurrsesi nuk duhet të na rikthehet. Kryeministri Fatos Nano nëpërmjet kontrolleve të shumta të policisë tatimore tentoi të vërë në shërbim të tij gazetën “Koha jonë”, televizionin dhe Radion “Koha”.

Jemi dëshmitarë ndaj dhjetërave kontrolle ndaj botuesit Lesi, kontrolle të cilat dështuan me turp. E njëjta praktik u ndoq edhe me televizionin Top Channel, duke dërguar policinë tatimore në orët e mbrëmjes pak orë para fillimit të emisionit ku i ftuar ishte kundërshtari i kryeministrit Fatos Klosi.

Tatimorët mbërritën në studion e këtij televizioni jo për të kontrolluar aktivitetin e tij ekonomik por për të bërë presion mbi bizneset e tjera të pronarëve të televizionit që kritikonte kryeministrin. Fushata e nënshtrimit me detyrim u shtri edhe në televizionin Gjeli, kontrollet e policisë financiare mbërritën në këtë televizion sapo ky tentoi të realizonte një emision me aferat e gruas së e të kryeministrit Nano, por më vonë presioni me tatimorët ndërroi formë. Filloi strategjia e blerjes ekonomike të mediave të pabindura.

Stafi i afërt i kryeministrit u shpërnda duke ofruar blerje aksionesh, lirim fondesh të bllokuara të bizneseve, premtime për përfitime ekonomike. Një ofertë e tillë ju bë edhe grupit mediatik Klan, të cilët refuzuan. Pas refuzimit për mbështetje mediatike të pamerituar kryeministri Nano urdhëroi tatimorët të bllokojnë aktivitetin e këtij grupi mediatik. Nga ana tjetër shoqata jonë është e shqetësuar edhe për ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të kryeministrit Nano në menaxhimin e reklamave të kompanive shtetërore.

Dhënia e reklamave nga kryeministri është një presion i drejtpërdrejtë mbi mediat të cilat nëse kritikojnë shefin e qeverisë do ti humbin këto reklama, nisur nga këto fakte të deklaruara dhe informacione të tjera shoqata e mediave elektronike i bën thirrje kryeministrit Fatos Nano, të heqë dorë nga këto forma presioni ndaj medias të cilat dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen e një prej shtyllave më të rëndësishme të demokracisë shqiptare.

Gjithashtu shoqata jonë i bën thirrje të gjithë forcave progresiste të politikës shqiptare. Trupi diplomatik, institucioneve që mbulojnë lirinë e medias pranë Bashkimit Evropian si edhe gjithë shoqatave ndërkombëtare që të bëjnë presionin e duhur kundër kësaj dukurie të vjetër që dhunon lirinë e medias në Shqipëri./tvklan.al