Lajme Arkiva 2003

Vrasja e sekretarit të përgjithshëm të Komuniteit Mysliman Shqiptarë në zyrën e tij në selinë e komunitetit nuk është kryer me armë me silenziator. Këtë rezultat ka nxjerrë ekspertiza mjeko-ligjore pas këqyrjes së plagëve në trupin e pajetë të 58 vjeçarit Tivari.

Në orët e para pas ngjarjes doli varianti se krimi është krye me një pistoletë me silenziator nisur edhe nga fakti se askush nuk kishte dëgjuar zhurmën e të shtënash me armë, por shenja të djegies në vendin e plagës nga tyta e pistoletë dëshmojnë se nuk është përdorur silenziator, ndërsa arma është mbështetur në trup në momentin që është shkrehur.

Vdekja e menjëhershme e Salih Tivarit ka ardhur si pasojë e një të shtëne në pjesët anësore të trupit ku plumbi i ka përshkuar më pas zemrën duke shkaktuar vdekje të sigurt të viktimës, çfarë bënë të dyshohet se personi që ka bërë ekzekutimin është një vrasës profesionist i saktë në goditjet e tij.

Ndërkohë për zbardhjen e vrasjes policia ka grumbulluar gjatë 48 orëve pas krimit dëshmi të dhjetëra funksionarëve apo nëpunësve të komunitetit të ndodhur ose jo në selinë e komunitetit, në kohën kur është kryer krimi. Materialet janë administruar në dosjen hetimore e cila do të procedohet pas mbledhjes së provave në organin e akuzës së rrethit të Tiranës./tvklan.al