Partizani-Dinamo është kryesfida e javës së katërt në Superligën shqiptare. Derbi i kryeqytetit luhet mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në “Arenën e Demave”, me dy ekipet që kërkojnë fitoren që vlen më shumë se 3 pikët.

Për “demat e kuq” janë 4 lojtarë në dyshim për të luajtur në derbi. Mehmeti për shkak se ditët e fundit ka ndjerë dhimbje, ndërsa Hadroj, Zeka dhe Ismaili janë bashkuar me ekipin pas grumbullimeve me Kombëtaret.

Ndërkohë nga ana tjetër Ilir Daja  do të debutojë te Dinamo me 5 mungesa. Kështu timonieri i “Bluve” nuk do të mund të llogarisë shërbimet e Gudiabi, Qefalija, Qardaku, Nanai dhe Toli.

I pari mungon për shkak kartonësh, Toli për arsyen që ka pak orë me ekipin, ndërsa 3 të tjerët kanë probleme fizike dhe ende nuk janë rikuperuar.

Një derbi me mungesa që detyron dy teknikët edhe për të eksperimentuar në një 90 minutësh ku kërkohet maksimumi.

Partizani ka fituar dy takimet e fundit në tre javë të kampionatit për të qenë në vendin e tretë të renditjes me 6 pikë. Në krahun tjetër Dinamo City vjen pas fitores me Elbasanin dhe nën drejtimin e Ilir Dajës synon të ruaj trendin e rezultateve pozitive.

Klan News