Plarent Dervishaj ka deklaruar në gjykatë se nuk është ekstraduar dhe nuk është deportuar nga autoritetet e Dubait, por është rrëmbyer nga forcat e policisë dhe është dërguar më pas në Tiranë.

Dervishaj tha se forcat speciale i shkuan në shtëpi dhe i kanë thënë se i rrezikohej jeta nga një atentat.

Plarent Devishaj: Më thyen derën e banesës. Kur më morën, më thanë se ndaj teje ka rrezik për jetën. Kam qenë nën arrest deri kur më dërguan në aeroportin e Rinasit.

Plarent Dervishaj deklaroi se është mbajtur në rajonin e policisë deri më datë 16 Gusht, ku dhe u ekstradua në Tiranë. Ai theksoi se në avion i dhanë pasaportën shqiptare dhe biletën e fluturimit.

Avokati ka kërkuar lirimin e tij në sallën e gjyqit. Ai pretendon se Dervishaj është arrestuar në Dubai në datë 6 gusht. Duke qenë se kanë kaluar 72 orë, masa e sigurisë arrest në burg, nuk është më në fuqi sipas avokatit.

Pasi dëgjoi pretendimet, gjykata vendosi ta lërë në burg Plarent Dervishajn për vrasjen e Klodian Saliut, krim i ndodhur në 2005-ën. Kjo është masa e dytë që i komunikohet Dervishajt brenda 24 orësh.

Ai sëbashku me Julian Meçe, dhe ky i deportuar nga Dubai, akuzohen dhe për atentatin të ndodhur në 1 nëntor të 2019 tek mbikalimi i Shkozetit ku u plagos ish-prokurori Arjan Ndoj, Aleksandër Laho, i njohur si Rrumi i Sukthit, dhe Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit, i cili humbi jetën një javë më vonë në spital.

Klan News