Zyrtari i lartë i policisë së Durrësit shantazhonte prej ditësh pronarin e një lokali nate te ura e Dajlanit në Durrës. Klan News ka mësuar detaje rreth aksionit të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore që u finalizua me arrestimin në flagrancë të Shefit të Sektorit kundër Trafiqeve dhe Narkotikëve, Gazmir Preçi.

Oficeri i Policisë kishte konstatuar se në këtë lokal disa pjesëtarë të stafit ishin të pasiguruar në punë. Preçi e kërcënonte biznesmenin me mbyllje të aktivitetit nëse nuk paguante 20 mijë Euro. I gjendur përballë këtij presioni, ai ka shkuar në AMP ku ka bërë kallëzimin. Biznesmeni ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë për të bërë regjistrimin e takimit për dhënien e parave

Duke qenë se është zyrtar i lartë, hetimet i mori SPAK nën drejtimin e prokurores Enkeleda Millonai.

Sipas informacione që disponon Klan News, zyrtari i policisë i ka kërkuar që paratë t’ia jepte një person tjetër, por biznesmeni e bindi që t’ia jepte vetë shumën e kërkuar.

Ai u takua me drejtuesin e policisë në një lokal në zonë e Konistudios në Tiranë. Ai ishte i pajisur me kamera të fshehtë ndërsa paratë u dhanë nga institucionet e drejtësisë. Nga 20 mijë euro i dha 10 mijë duke i thënë se pjesën tjetër do ja jepte disa ditë më vonë. Në këtë moment ndërhyjnë agjentët e AMP duke arrestuar në flagrancë shefin kundër trafiqeve në policinë e Durrësit.

Në përfundim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale vlera prej 10 mijë eurosh, dokumenta të ndryshme dhe dy aparate telefonikë celularë.

Në SPAK, policia ka referuar dy akuza: “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Klan News