Ligji anti-duhan ka dështuar totalisht, pothuajse në të gjitha ambientet publike ku ligji i ndalon përdorimin e duhanit ai konsumohet. Edhe shitja apo blerja e cigareve nga persona nën 18 vjeç, nuk ka gjetur zbatim qoftë për një ditë të vetme.

Të gjendur përballë këtij mosfunksionimi të disa prej pikave të parashikuara në këtë ligj, specialistët do të kërkojnë së shpejti ndryshimin e ligjit anti-duhan.

Alban Ylli: “Ministria e Shëndetësisë ka bërë një tentativë për të ndërhyrë në dy, tre element të ligjit për ta bërë atë më efikas, sepse në ligjin e kaluar të Republikës së Shqipërisë kundër duhanit, thjesht kërkohet që një biznes të ketë vendosur mesazhin e qartë të ndalimit të duhanit dhe të ketë hequr tavllat e duhanit. Dhe ka pasur një debat për ambientet ku këto dy element të ligjit respektoheshin, po gjithsesi pihej duhan pra ne do të dëshmonim që në ligj të vendosej dhe elementi i qartë i duhanpirës.”

Sipas statistikave në Shqipëri 4 në 10 persona janë duhanpirës të rregullt, ndërsa shpenzohen 320 milion dollar në vit për cigare. Problematik është konsumimi i duhanit nga moshat e reja, pasi 16.7% e fëmijëve 13 deri në 15 vjeç pinë cigare. Për të parandaluar këtë specialistët kanë nisur fushatë në shkolla për t’i mbajtur të rinjtë larg duhanit.

Roland Shuperka: “Ne konstatojmë se në 30% të bareve, të lokaleve kjo është ndaluar plotësisht, por ka bare dhe lokale që nuk po funksionon. Ligji është në fuqi, i bëj,më kërkesë shtetit që të rrisë çmimet e cigareve, është një nga politikat më efektive.”

Nga të dhënat globale rezulton se 1.3 miliard njerëz në botë pinë duhan, 5 milion prej tyre vdesin çdo vit si pasojë e sëmundjeve të shkaktuara nga duhanpirja, ndërsa parashikohet që në vitin 2030 si pasojë e sëmundjeve që shkakton duhani do të vdesin 11 milion njerëz në vit në të gjithë botën./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami