Lajme Arkiva 2003

Një skenar policor i shëmtuar për të inkriminuar kryeredaktorin e Vizion Plus Ilir Babaramo u tentua të vihej në zbatim gjatë paradites, dhjetëra forca policore, rreth 6-7 makina policie, vetë shefi i policisë kriminale të komisariatit numër 2 madje edhe prokurorë dhe ekspert zbarkuan në afërsi të televizionit Vizion Plus për të ushtruar presion dhe për të manipuluar faktin për gjoja një aksident të shkaktuar nga Babaramo.

Ky akt është denoncuar sot edhe nga stafi i Vizion Plus që ka akuzuar Ministrin Rama se po shfrytëzon detyrën për të terrorizuar këtë televizion. Veprimi i dëshpëruar i Ministrit të Rendit për ti bërë presion gazetarit Babaramo është një nga aktet më të turpshme dhe diletante.

Prandaj Vizion Plus i ka bërë një thirrje të fundit atij të ketë kujdes pasi përndryshe do të jetë përgjegjës për çdo gjë që mund ti ndodhë kryeredaktorit të Vizion Plus.

“Dhunuesi i njerëzve të fjalës së lirë duhet ti japë fund një orë e më parë presioneve me policinë e shtetit dhe të heqë dorë nga inskenimet e turpshme që vetëm ja rëndojnë pozitën e vështirë ku ka futur veten dhe eprorët e tij”, thuhet në protestën e Vizion Plus.

Ajo që u zmadhua dhe u tentua të përdorej pandershmërisht nga vartësit e Ministrit të Rendit nuk ishte gjë tjetër veçse një ngjarje banale. Qytetari Bujar Spahia është rrëzuar me motoçikletën e tij për shkak të terrenit të rrëshqitshëm disa metra larg vendit ku rastësisht po kalonte me makinën e tij Ilir Babaramo.

Kaq ka mjaftuar që vartësit e Ramës të vërshojnë me mjete dhe forca të shumta, gjë që nuk ka ndodhur edhe kur në mes të Tiranës janë vrarë njerëz.

Por gjithë ky skenar ka dështuar duke treguar edhe njëherë se metoda të tilla të dala boje që nga koha e SHIK-ut të Gazidedes bëjnë vetëm efektin e kundërt. Ekspertët nuk kanë mundur të vërtetojnë që makina e Babaramos ka prekur motoçikletën e qytetarit dhe mbi të gjitha ja çfarë ka thënë vetë i dëmtuari për ngjarjen në fjalë.

“Precedentët që ndodhin i kam shkruajtur aty. Kam bërë shtesë në procesverbal, kam hedhur edhe firmën, emër, mbiemër, firmë dhe kam shkruajtur që nuk dëshiroj që precedentin që ndodhi personi të ketë pasoja nga unë as nuk kam ndërmend ti bëjë denoncim personit në fjalë sepse janë momente që mund ti ndodhin cilitdo shoferi”.

Përballë këtij akti dhe duke parashikuar skenarë të tjerë perversë që hartohen në zyrat e krerëve të rendit shoqata e mediave elektronike dhe shoqatat e tjera të gazetarëve do të denoncojnë me forcë të gjitha provokimet që po inskenohen si dhe i ofrojnë Ilir Babaramos mbështetje financiare për tu larguar përkohësisht nga Shqipëria deri sa kjo çështje të mbyllet në favor të shtypit të lirë në Shqipëri./tvklan.al