Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Dita botërore e luftës kundër Sidës dhe këtë vit, fokusohet tek meshkujt, sepse sipas statistikave, këta janë më të prekurit dhe më pak të përgjegjshëm. Rreth 35 milion njerëz në botë, vuajnë nga infeksioni AIDS dhe deri tani mbi 19 milion njerëz kanë vdekur. Grupimi tematik i agjencive të OKB-së mbi luftën kundër Sidës në vendin tonë, sot ka organizuar një konferencë, për të sensibilizuar opinionin tonë në luftën kundër virusit vdekjeprurës.

Në këtë konferencë merrnin pjesë anëtar të organizatave që janë në Shqipëri, nga PNUD-i, UNICEF, Banka Botërore, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, si edhe nga Instituti i Shëndetit Publik. Fushata e re botërore është përcaktuar në vendin tonë dhe do të zgjasë rreth dy vjet.

Në vendin tonë, që nga viti 1993 kur janë zbuluar dy rastet e para, deri tani ky numër ka shkuar në 49 raste, 40 prej të cilëve janë vetëm meshkuj. 12 kanë vdekur, 7 raste janë shënuar vetëm në vitin e fundit. Sot për sensibilizimin e fushatës, merrte pjesë edhe këngëtari Ardit Gjebrea, i cili ka bërë apelin e vetë ndaj të rinjve./tvklan.al