Ish-punëtorë të fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, kanë hyrë në ditën e dytë të grevës së urisë. Kërkesat e tyre me karakter ekonomik po presin përgjigje nga pushtetarët të cilët ende nuk kanë mbërritur për të biseduar me ta.

Mes 8 grevistëve të ngujuar në këtë apartament në Vorë gjendet edhe një 17-vjeçar.

Hajdar Halili: “Jam 17 vjeç, kam hyrë për të mbështet të gjithë shokët këtu dhe këtë grevë do e përfundoj edhe unë deri në fund.”

Pëllumb Syla: “Vetëm na kanë dhënë një 500 mijë lekësh si emergjencë të vjetra dhe 500 mijë lekë na ka dhënë ministria e punëve të vjetra, 1 milion lekë gjithsej dhe asgjë tjetër.”

Andi Belliu: “Kërkesat kryesore janë 400 mijë lekë të reja shpërblim për punëtorët, pak më e shtuar për plagosje të rëndë qe duhet të jetë 150 mijë lekë të reja. Për familjarët e viktimave le të jetë një pension rreth 40 mijë lekë të reja.”

Gazetari: “Deri kur do të vazhdoni?

Andi Belliu: “Greva do të vazhdojë deri sa të plotësohen kërkesat tona.”

Në ditën e dytë shëndeti i grevistëve paraqitet jo shqetësues, megjithëse po mbajnë frymën gjallë vetëm me ujë dhe aspirina. Jashtë godinës në shenjë solidariteti qëndrojnë familjarë me miq të tyre./tvklan.alGazetar: Fjorald Zguro