Sali Berisha: “Kam vendosur që me Vendim të Këshillit të Ministrave të ngremë, të shpallim zonën, zonë të fatkeqësisë. Të ngremë një komision ndërministror të kryesuar nga kryeministri, për të ndjekur çdo minutë ngjarjen për të bërë të gjitha vlerësimet, për të marrë të gjitha masat.”

Një muaj më pas Gazmend Oketa, në postin e ri të ministrit të mbrojtjes do të hartonte një plan-veprimi për eliminimin e 98 mijë ton municionesh, duke lëshuar alarmin SOS për ndihmë tek ndërkombëtarët.

Brenda vitit 2010, Shqipëria do të eliminojë  rrezikun që i kanoset nga mbetjet e municioneve luftarake në depot ushtarake. Me një buxhet prej 145 milion lekësh të reja, ministra e mbrojtjes do të realizojë një plan-veprimi të asgjësimit të këtyre municioneve që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë kombëtare të një vendi.

Gazmend Oketa: “Kur flitet për municione pavarësisht faktit nëse janë në sasi të tepërta, apo në sasi të vogla, gjithmonë rreziku nga këto municione ekziston. Dua të them dhe pas asgjësimit të këtyre municioneve të tepërta do të jetë një sasi municionesh e domosdoshme për forcat e armatosura shqiptare, për të ushtruar aktivitetin e tyre. Dhe ky municion natyrisht që do të përmbajë në vetvete një rrezik, pasi flitet për materiale ushtarake. Do të kalohet gradualisht nga drita e kuqe e rrezikut në atë portokalli dhe në atë jeshile. Brenda vitit 2010 ky rrezik do të jetë zero.”

Oketa shpreh diskret përsa i përket numrit të forcave ushtarake që do të angazhohen në këtë plan-veprimi, i pari i këtij lloji në Shqipëri. Ndërsa shprehet se në tavolinën e paraardhësit të tij ka qenë e planifikuar kjo strategji e cila pas Gërdecit doli në vend të parë, si një nga prioritet më të mëdha të këtij dikasteri.

Gazmend Oketa: “Atëherë janë evidentuar disa depo të cilat përbëjnë rrezikun më të madh, qoftë për shkak të materialit që është depozituar në këto depo, qoftë dhe për shkak të afërsisë që kanë qendrat e banuara, apo për shkak të afërsisë me ndërtimet e reja pranë këtyre depove. Pikërisht nga këtu do të fillojë puna duke zbritur shkallë-shkallë në depot më pak të rrezikshme. Por në rast se procesi administrohet me kujdes, në rast se respektohen të gjitha rregullat dhe standardet për asgjësimin e municionit, për administrimin e tij, atëherë kuptohet që rreziku minimizohet.”

Jehona që la pas shpërthimi nuklear i Gërdecit, u pasua me shkarkime po aq të forta në radhët e kolonelëve e gjeneralëve të lartë të ushtrisë.

Gazmend Oketa: “Lirimi apo shkarkimi i disa personave ushtarak të nivelit të lartë, apo të ulët nuk duhet perceptuar si reformë. Ato janë disa masa administrative në funksion të një ngjarje të ndodhur. Ka nevojë për një strukturë të integruar midis ministrisë së mbrojtjes dhe shtabit të përgjithshëm, dhe kjo strukturë është në fazën e saj përfundimtare”

Oketa i del në krah paraardhësit të tij Fatmir Mediu, i cili deklaroi një ditë më parë se Shqipëria e ka të ligjëruar shitjen e municioneve kineze drejt vendeve të huaja.

Gazmend Oketa: “Ligji shqiptar lejon shitjen e këtyre municioneve pavarërsisht të origjinës së tyre dhe nuk ka asnjë pengesë që këto municione të tepërta apo dhe municione të cilat mund të prodhohen në fabrikat që ne kemi të tregtohen në vende të ndryshme të botës. Është çështje tjetër nëse vendet pritëse të këtij malli kanë ligje, apo sanksione të cilat pengojnë prodhime të një origjine të caktuar.”

Oketa paralajmëron se reforma institucionale do të vazhdojë në shkurtime në stafin dhe eliminimin e hallkave dhe drejtorive që kryejnë të njëjtat funksione./tvklan.alGazetare: Anduena Llabani