Në një vizitë të zhvilluar paraditen e së martës në zonën e Gërdecit në fshatin Marqinet, ministri i mbrojtjes Gazmend Oketa ka garantuar banorët e kësaj zone duke deklaruar se ajo është e sigurt se ata mund të vazhdojnë të ngrenë shtëpitë e tyre të reja në këtë truall.

Gazmend Oketa: “Brenda zonës së rrethuar, e cila është deklaruar që ditën e parë që është një zonë me rrezikshmëri të lartë dhe pikërisht për ketë arsye. Sepse ekziston probabilitetit që mund të ketë predha të pashpërthyera. Pjesa tjetër jashtë shpërthimit nuk përbën asnjë shqetësim që banorët mund të vazhdojnë të ndërtojnë.”

Sikur të mos ishte i njëjti ministër Oketa vetëm tre ditë më parë në një prononcim mediatik deklaronte se rreziku i një shpërthimi tjetër të ngjashëm me atë të 15 marsit ishte prezent. Në këtë intervistë ministri pohonte se dy ishin rreziqet që i kanoseshin banorëve të Gërdecit. Një shpërthim i dytë i mundshëm i cili do të ishte fatal si dhe rreziku ambiental.

Ndërkohë tre javë më parë banorët e Gërdecit të frikësuar nga deklarata e ambasadorit amerikan, i cili ju kërkoi të mos ngrinin shtëpitë e tyre pasi zona ishte ende e pa sigurt. Ata i kërkuan një përgjigje ministrit të mbrojtjes Gazmend Oketa, i cili reagoi në këtë mënyrë.

Banor: “Unë ty të shikoj të dyshimtë, këtë po ta them troç në sy. Pra ti nuk je i sigurt vetë si person që thua këtu është e garantuar.”

Gazmend Oketa: “Si ministër mbrojtje unë mund të garantoj që nuk ka më shpërthime të tjera. Ka një lloj rrezikut tjetër që është rreziku ambiental. Theksoj edhe njëherë në momentin që flasim bashkë nuk është bërë prezente asnjë lloj analize që të dëshmojë që ka ndotje ambientale. Për sa i takon rrezikut nga shpërthimet në bazë të ekspertëve tanë nuk ka rrezik.”

Pyetjes së këtij fshatari të Gërdecit Oketa ka mundur t’i përgjigjet vetëm sot, tre javë më vonë. Pyetja e parë që të lind pas këtyre deklaratave kontradiktore është cilin Oketa duhet të besojnë banorët e e Gërdecit?/tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka