Kryeministri Berisha ka deklaruar që nga Vora, se për të zbardhur shpërthimin tragjik të 15 marsit në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, duhet të hetohet çdo qelizë e saj që ka ndodhur. I rikthyer në zonë e prekur nga ngjarja e rëndë e 5 muajve më parë, Berisha tha, se hetimi i plotë i ngjarjes është një detyrim moral për viktimat dhe familjarët e tyre.

Sali Berisha: “Patëm një tragjedi të tmerrshme në 15 mars, një tragjedi e cila duhet të hetohet në çdo qelizë të saj. Dhe unë kam besim të plotë se kjo do të ndodhë, se hetimi është një detyrim madhor, moral ndaj shpirtrave të atyre që nuk janë më dhe familjarëve të tyre dhe të gjithë komunitetit.”

Kreu i ekzekutivit ka garantuar se për të rimëkëmbur zonën e prekur nga kjo tragjedi do të vazhdojë mbështetja me financime. Berisha ka pranuar se pavarësisht përpjekjeve maksimale për të kompensuar në mënyrë sa më të plotë. Ka pasure raste edhe kur janë bërë gabime në përllogaritje. E sipas tij kjo është shoqëruar edhe me kënaqësi nga ndonjë prej banorëve.

Sali Berisha: “Ne nuk do ndërpresim mbështetjen e fuqishme derisa edhe tulla e fundit të vendoset në këtë zonë. Derisa edhe rruga dhe rrugica e fundit të rindërtohet në këtë zonë. Qeveria do të bëjë, do të finalizojë të gjithë projektin e rehabilitimit, rindërtimit të plotë të kësaj zone. Dhe më pas të inkurajimit të madh të biznesit në këtë zonë.”

Nga ana tjetër kryetari i bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili në emër të banorëve të zonës ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që i dha qeveria për përballimin e situatës së vështirë të krijuar nga ngjarja e 15 marsit./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama