Lajme Arkiva 2003

Kryeministri Fatos Nano me disa nga ministrat e kabinetit të tij dhe kryebashkiakun Edi Rama kanë dhënë shembullin personal duke pedaluar me biçikleta përgjatë gjithë bulevardit dëshmorët e kombit në ditën ndërkombëtare një qytet pa automjete.

Tirana së bashku me 9 qytete të tjera shqiptare i janë bashkëngjitur iniciativës së 1000 qyteteve në të gjithë botën për të lëvizur së paku dy orë me këmbë apo me biçikletë për të ndihmuar në një farë mënyre për të ulur përqindjen e lartë të ndotjes së mjedisit.

Kryebashkiaku Rama ka gjetur rastin të shprehet përpara kamerave se përveçse të merret në fushatë ai gjen kohë të marrë pjesë edhe në aktivitete të tilla.

Edi Rama: Ndërkohë që konkurrentët kanë vetëm fushatën për të bërë unë kam edhe detyrime të tjera ndaj qytetit. Detyrime funksionale të cilat  i bëj aktualisht dhe që do i bëj edhe pas 12 Tetorit sepse e kam thënë që për mua është vetëm një pjesë e veprimtarisë, e cila ka të bëjë me komunikimin me njerëzit për atë çfarë na pret 3 vitet e ardhshme. Unë nuk kam diskutim në këtë pikë.

Pikërisht në këtë pikë listës së vullnetarëve të kryetarit Rama i është shtuar edhe një vullnetar i ri. Kryeministri Fatos Nano, për të përgënjeshtruar në një farë mënyre zërat e përhapur në shtyp se mes tij dhe Ramës ndihet një shkëputje, ka gjetur me vend të regjistrohet pranë çadrës elektorale të kryebashkiakut pikërisht në ditën e sotme.

Ndërkohë që Rama edhe gjatë ditës së sotme ka vazhduar mbjelljen e pemëve të reja në bulevardin “Zhan Dark” dhe “Bajram Curri”./tvklan.al