Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Prej dy ditësh në qytetin e Gjirokastrës po organizohen ditët e trashëgimisë kulturore me një sërë aktivitetesh dhe promovimesh. Aktualisht është çelur një ekspozitë me pjesë nga qyteti i gurtë, si dhe është inauguruar rikonstruksioni i Muzeut Etnografik, i cili në vitin 1997 pësoi dëme të konsiderueshme, pas vendosjes së një sasie tritoli.

Rikonstruksioni i çatisë, dritareve, dyshemesë dhe lyerja e muzeut, me një fond prej 23 milion lekësh dhënë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, ka bërë që kjo godinë, dikur shtëpia e ish-diktatorit Enver Hoxha, të kthehet në identitet dhe të tërheq vëmendjen dhe kuriozitetin e vizitorëve.

Sipas Vaso Toles, drejtor i Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, këto ditë për shqiptarët duhet të kthehen në traditë.

Vaso Tole:- “Lidhur me aktivitetin Ditët e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër dëshirojë të them, që dhe kjo është pjesë e politikave të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në kuadër të finalizimit lidhur me kandidimin e qytetit muze të Gjirokastrës, si pasuri kulturore e njerëzimit mbrojtur nga UNESCO”./tvklan.al