Kryeministri Rama i është drejtuar opinionit publik me një mesazh në lidhje me publikimet e programit Report të kanalit televiziv italian Rai3 mbi Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është shprehur se Shqipëria është vendosur nën shënjestër për shkak të fushatës në Itali dhe luftës kundër Melonit teksa ka shtuar se e gjithë ajo baltë e pamerituar për vendin tonë është eksportuar nga Tirana në Itali.

Edi Rama: Dëshiroj të ndaj me ju eksperiencën time me programin Report të RAI3. Një eksperience intensive, sa fyese në aspektin njerëzor, aq edhe sfiduese në aspektin, le të themi profesional, megjithëse politika për mua nuk është profesion, është mision. 

Ishte fyese sepse përtej personales, keqardhjes, dhimbjes nga padrejtësia e imponuar e vendosjes në shënjestër, për shkak të fushatës elektorale në Itali e të luftës mediatike atje, ndaj homologes sime në krye të qeverise italiane, kjo eksperiencë kishte ne përmbajtje shume baltë për Shqipërinë; baltë e prodhuar këtu, në Tirane, për luftën politike ndaj meje e qeverise sonë dhe këtë ju e dini të gjithë.

Dhe e gjithë ajo baltë e eksportuar nga këtu në Itali dhe e ekspozuar në ekranin e Shërbimit Publik italian, me lloj-lloj emra shqiptarësh e me dyshime të pambështetura në fakte, pa asnjë interes për publikun italian, që as nuk di e as nuk i intereson kush është X-i e Y-ni në Shqipëri, ishte padyshim një baltë krejt e pamerituar mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Dëgjoni, Shqipëria s’është më ajo që ishte, kjo shihet kudo, flitet ngado, mirëpo disa që janë mësuar ta na shohin e ta trajtojnë Shqipërinë si vend të botes së tretë, nuk na e falin dot suksesin, çlirimin nga hijet e të shkuarës, kokën e ngritur lart. Prandaj dhe pesë kulla në Tiranë ju duken si 500 ngaqë as e kanë imagjinuar që Tirana do të bëhej kjo që vetëm sapo ka filluar të duket , se skanë parë gjë akoma. Dhe e vetmja mënyrë që gjejnë, me ndihmën e gojëve mos e themi të politikanëve pa atdhe e të papagajve të tyre pa skrupuj, është të hedhin baltë për të  na pikturuar pacipërisht si mafiozë, trafikantë, kriminelë… 

Po për mua cenimi me gjysmë të vërteta i Shqipërisë në gjuhë të huaj, nga cilidoqoftë e sidomos nga vendet fqinje, ku jeton edhe pjesa më e madhe e shqiptarëve të Europës, është një sulm mbi emrin, mbi nderin, mbi flamurin tonë kombëtar, mbi çdo shqiptar dhe pikë. Kush e bën, duhet ta mësojë se koha kur shteti shqiptar, qeveria, kryeministri i Shqipërisë, rrinin si skutha që bënin te fortin me të dobëtit këtu brenda dhe te menderosurin para të huajve, ka vdekur. 

U habiten gazetarët e Reportit dhe e thanë që unë jo nuk i ika asnjë pyetjeje, po e kërkova vetë, publikisht ballafaqimin me ta. Thanë që këtë politikanët e tyre nuk e bëjnë dhe e quajtën madje kurajë të madhe, po ne fakt e imja s’është kurajë, është krenari për Shqipërinë dhe për emrin shqiptar.

Shqiptarët e Italisë, Greqisë e kudo tjetër, nuk kanë për të qenë kurrë vetëm sa të jem unë këtu, përballë asnjë cenimi të emrit shqiptar. Kane vuajtur boll për ta ngritur kokën dhe as ata, as Shqipëria nuk e ulin më kokën. 

Ne e dimë më mirë se kushdo plagët, problemet, të metat e dobësitë që kemi dhe që i luftojmë përditë me to. Po kush hedh baltë mbi Shqipërinë e mbi shtetin shqiptar, duke na treguar edhe me gisht siç bënin dikur që s’u linin kusur shqiptarëve, duhet e do ta  marrë kurdoherë përgjigjen tonë. Me punë patjetër po dhe me fjalë, sa herë që ëhstë nevoja. Me vepra dhe me krenari sa herë që ne flasim për Shqipërinë. 

Ata thanë që nuk e kishin me Shqipërinë e me popullin shqiptar. Po ama dëmin ia bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në sytë e të gjithë audiencës së tyre italiane dhe nëse nuk ishin nisur me këtë mendim, këtë bënë. 

Po me kë e kishin ata? 

Ata e kishin me qeverinë e tyre dhe deri këtu janë në të drejtën e tyre të shenjtë. Por ama kur pastaj fusin në valle edhe qeverinë tonë, duke marrë autobote me llum nga kanalet e ujërave të zeza politike e mediatike këtu në Tiranë, për të thënë se marrëveshja e qeverisë së Italisë me qeverinë e Shqipërisë është jo vetëm e keqe, po edhe është bërë me një narkoshtet, me një qeveri ku shumë anëtarë të saj na qenkan të dënuar dhe të lidhur me mafian, ata shkelin, jo vetëm mbi të vërtetën, po edhe mbi nderin e mbi dinjitetin tonë shtetëror dhe kombëtar. 

/tvklan.al