Kryeministri Edi Rama i është drejtuar publikut me një video-mesazh në lidhje me publikimet e programit Report të medias Rai 3 mbi Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama ka deklaruar se akuzat nuk bazoheshin në fakte, por i ka quajtur “baltë e prodhuar në Tiranë” për luftën politike ndaj tij dhe e eksportuar në Itali për të sulmuar politikisht homologen e tij italiane, Meloni.

Kryeministri Rama është shprehur se në dokumentarin e Rai 3 kanë bashkëpunuar një grusht shqiptarësh që s’kanë atdhe, s’kanë fe, s’kanë din e as iman. Rama ka shtuar se janë përdorur si heronj të këtyre shfaqjeve figura të errëta: Një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga Gjykata Speciale Antikorrupsion, një i përjashtuar nga vetingu në sistemin e drejtësisë. U mor edhe ndonjë  opinionist, veteran i luftës me gjysmë të vërteta kundër meje e qeverisë sonë qysh se s’mbahet mend e ku di unë kush tjetër.

Shfaqja, tha Rama, dukej si një “çorbë tik-toku, qep, shqep e bashko fjalë e imazhe sipas skenarit, nuk tha asgjë të re përveç jashtënxjerrjeve të ujërave të zeza të politikës non grata”. Dhe për këto, Rama kishte një thirrje për shqiptarët: Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre.

Edi Rama:Ata e kishin me qeverinë e tyre dhe deri këtu janë në të drejtën e tyre të shenjtë. Por ama kur pastaj fusin në valle edhe qeverinë tonë, duke marrë autobote me llum nga kanalet e ujërave të zeza politike e mediatike këtu në Tiranë, për të thënë se marrëveshja e qeverisë së Italisë me qeverinë e Shqipërisë është jo vetëm e keqe, po edhe është bërë me një narkoshtet, me një qeveri ku shumë anëtarë të saj na qenkan të dënuar dhe të lidhur me mafian, ata shkelin, jo vetëm mbi të vërtetën, po edhe mbi nderin e mbi dinjitetin tonë shtetëror dhe kombëtar. 

Bashkëpunimi me një grusht shqiptarësh që ju i njihni shumë mirë, s’kanë atdhe, s’kanë fe, s’kanë din e as iman, që jo nuk e bindin dot popullin këtu, megjithëse shajnë e shpifin ditë-natë prej vitesh të tëra, po vetëm humbasin e diskreditohen përditë në sytë e tij, RAI 3 dha dy shfaqje të neveritshme të një gjasme gazetarie investigative.

U përdorën si  heronj të këtyre shfaqjeve figura të errëta, një kriminel italian i dënuar 17 vjet nga drejtësia shqiptare për tërë të zezat, një i arratisur i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u, një i mbyllur në arrest shtëpie nga gjykata speciale antikorrupsion, një i përjashtuar nga Vetingu në sistemin e drejtësisë. U mor edhe ndonjë  opinionist, veteran i luftës me gjysmë të vërteta kundër meje e qeverisë sonë qysh se s’mbahet mend e ku di unë kush tjetër, ndërkohë që u trajtuan si personazhe negativë të shfaqjes, drri tek personalitete të politikës e të kulturës italiane apo lloj-lloj individësh të njohur e të panjohur në Shqipëri, duke hedhur baltë akuzash e dyshimesh, pa asnjë lloj fakti. 

Por në fund shfaqja që dukej si një çorbë tik-toku, qep, shqep e bashko fjalë e imazhe sipas skenarit, nuk tha asgjë të re përveç jashtënxjerrjeve të ujërave të zeza të politikës Non Grata e të kanaleve mediatike këtu në Shqipëri, që i shërbejnë asaj llum politike. Asgjë pakontestueshme logjikisht, nuk kishte aty e lëre pastaj të vlefshme juridikisht, nga ky pseudo investigim italo-shqiptar, po vetëm u mbars mali dhe polli një mi, duke u justifikuar në fund se prova s’ka po ka akuza”! 

Akuza nga kush, mbi çfarë baze faktike, mbështetur mbi cilat të vërteta të provuara? Një shfaqje televizive si një version demokratik i hetimeve famëkëqija të Sigurimit të Shtetit, “ky tha, ai tha, ata thonë”, “ai takoi atë”, “ky u takua me atë”, “ti takove ata”, “thuhet se këtu bëhet kjo”, “thonë se në Shqipëri ndodhin këto”, “janë arrestuar, jo s’janë arrestuar”, “janë të lidhur, jo s’janë të lidhur”, “thanë dy kriminelë që njohin atë”, “ka akuza për vëllain e atij”, “ata atje pastrojnë paratë e atyre andej”, bla-bla-bla… 

Por tekefundit, te paktën ana italiane e këtij bashkëprodhimi te neveritshëm, e pohoi me gojën e vet se nuk janë ata që mendojnë se Shqipëria është një narkoshtet, nuk janë ata drejtpërdrejtë që akuzojnë, po janë të tjerë, janë këtu, në mesin tonë, ndërsa ata thjesht gatuan një çorbë me prodhime bio shqiptare. 

Tani unë nuk kam asgjë më shumë me palën italiane, me gazetarin italian jo e jo, ai erdhi më mori një intervistë, shërbeu dhe iku. Ua thashë në mes të Italisë që ditën e parë se çfarë ishte ai pseudo-investigimi i tyre, nuk lashë hapësirë e shteg në mediat e vendit mik pa ua përplasur syve të vërtetat dhe siç e patë, jo vetëm nuk iu shmanga ballafaqimit, po e postova të pacensuruar në këtë faqe. Sepse po të kisha gjëra për t’u shmangur apo pyetje për t’u sikletosur, nuk rrija në këmbë për të udhëhequr Shqipërinë, po ikja ulesha në bisht tek bahçja e shtëpisë. 

Unë e kam me të gjithë shqiptarët e zakonshëm dhe e kam të thjeshtë fare: 

Mos i falni më! Braktisini përgjithnjë në vetminë e ujërave të zeza të politikës së tyre. Shumica që i ka braktisur prej kohësh duhet të bëhet gati për t’i shkatërruar fare me votë në ditën e afërt të gjykimit popullor. Pakica që ende nuk i ka braktisur, është në të drejtën e Zotit të mos bashkohet me shumicën nëse nuk do, po jo të vejë më pas tyre, sepse ata nuk i duhen as dreqit, jo më Shqipërisë! Ata janë mishërimi i shpirtit të së keqes që po del nga jeta e Shqipërisë, duke u çjerrë në përpëlitjet e fundit. Ky vend ka kry punë me atë shpirt të keq që e persekuton qysh prej vitit 1912.

Shqipërinë nuk e ndal më asgjë dhe nuk ia përcakton më të ardhmen askush, përveç nesh, shqiptarëve. Kokën lart dhe vetëm përpara!


/tvklan.al