Policia ka sjellë sot pasdite në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë Fazli Sejdiun, njeriu që sulmoi shtëpinë  e kryeministrit Hashim Thaçi mesnatën e së premtes. Gjyqtari i procedurës paraprake për këtë rast ka vendosur që të dyshuarit Fazli Sejdiut t’i caktohet masa e paraburgimit për 30 ditë. Vetë i dyshuari ka pranuar se ka tentuar të futej dhunshëm në shtëpinë  kryeministrit Thaçi për motiv plaçkitje, por ka shtuar se nuk e dinte se i kujt ishte ajo shtëpi.

Mbrojtja e Kryeministrit Thaçi sipas burimeve të TV Klan, ka ndërmend që të sugjeroj gjykatës zgjerimin e listës në dyshim të veprës sulmit ndaj rezidencës të të parit të qeverisë, madje sipas këtyre burimeve, kjo listë do të përfshijë edhe disa njerëz publik. Mbrojtja dyshon se nuk bëhet fjalë thjeshtë për një sulm ordiner, por për diçka më shumë.

Si mbështetje e kësaj alibie të mbrojtjes duket se është dhe një dokument sekret i SHPK-së të cilin e ka siguruar TV Klan e ku thuhet se 1 javë më parë ka pasur informacione për mundësinë e rrëmbimit të anëtarëve të familjes së kryeministrit.

Me datën 11 janar ora 09:48 minuta është pranuar një informatë për momentin e pa konfirmuar për planifikimin  e mundshëm të rrëmbimit të anëtarëve të familjes së kryeministrit Thaçi. Kjo informatë vjen nga 2 persona të cilët kanë biseduar në gjuhën serbe në një pompë të derivateve në një qytet të Gjermanisë.

Njëri prej këtyre personave ka thënë që në Mitrovicë, po planifikohet aksioni i rrëmbimit të familjarëve të kryeministrit Thaçi, thuhet në këtë dokument. Tutje thuhet se kjo informatë e siguruar nga policia e Kosovës, ju ka transmetuar dhe autoriteteve gjermane. Ky dokument është i nënshkruar nga nënkolonel Nazmi Afeskoviç, Drejtor i Drejtoratit të Krimeve në SHPK./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki