Kushtetuta e Kosovës ka hyrë në fuqi. Përfaqësuesit politikë kosovarë thonë se janë të gatshëm për të hyrë në ketë fazë të re politike, ndërkohë që për kosovarët zbatimi i dokumentit themeltar është edhe çelësi për zhvillimin e vendit.

“Dihet që kushtetuta është një prej shtyllave të shtetit të ri, të gjitha shteteve, jo vetëm shtetit tonë kështu që, ne si qytetarë presim që kjo shtyllë të sforcohet sa më shumë edhe presim që prej sot të të shtohet edhe numri i shteteve të cilat dhe e njohin  shtetin e ri të Kosovës”.

“Prej sot fillon zbatimi dhe marrja e kompetencave të shtetit të ri të Kosovës në të gjitha sferat dhe sovraniteti do të zbatohet në tërë territorin e Kosovës”.

Me rastin e hyrjes në fuqi të kushtetutës, do të organizohet  edhe një ceremoni solemne ku pritet të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë të shtetit si dhe ambasadorë e përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë.

Hashim Thaçi: “Dita e diel është një ditë tepër e rëndësishme për vendin dhe të gjithë qytetarët, por edhe për investimet e komunitetit ndërkombëtarë në Kosovë. Është dita e kushtetutës së re, dita e kushtetutës së shtetit të Kosovës, dita e zotimeve të reja për të ardhmen tonë si shtet i pavarur sovran dhe demokratik, dita e një kushtetute moderne, dita e hapjes e sigurt për integrimin e strukturat e NATO-s dhe BE, por para se gjithash për ndërtimin e rendit demokratik në Kosovë”.

Kushtetuta e Kosovës hyn në fuqi 120 ditë pas shpalljes së pavarësisë. Që nga sot institucionet e Prishtinës do të marrin më shumë kompetenca administrative nga misioni i OKB-së. Megjithatë ky nuk do të jetë kalim i lehtë i pushtetit. Serbia dhe Rusia nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe janë kundër tërheqjes së OKB-së prej andej dhe dislokimit të misionit të BE-së.

Misioni i UNMIK-ut ka ende për të sqaruar si duhet se çfarë roli do të luajë në Kosovë nga kjo e diel, në një kohë kur gjithashtu është ende e paqartë se kush do të kontrollojë ato pjesë të Kosovës me shumicë serbe./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle