Një e treta e donacioneve të premtuara në Konferencën e Donatorëve kanë filluar të vijnë në Kosovë. Autoritet e vendit, kërkojnë që pjesa tjetër e zotimeve të ndërkombëtarëve të mos harrohet. Për këtë gjë janë mbledhur në Prishtinë qeveritarë dhe ndërkombëtarë. Ky është takimi i parë i këtij niveli që nga mbajtja e Konferencës së Donatorëve në korrik të vitit 2008. Energjetika, telekomunikacioni dhe arsimi janë 3 çështjet që qeveria dhe donatorët po diskutojnë në këtë takim.

Hashim Thaçi: “Këtë vit do të siguroj më tepër se 150 milion euro në mbështetje të sektorit të energjisë. Kjo mbështetje siguron që do të bëhet hapja e minierave për të siguruar thëngjill”.

Edhe pse kriza financiare globale ka prekur shumë vende që premtuan mjete për Kosovën, kërkesa e pushtetarëve ishte e prerë, ata i duan para.

Ahmet Shala: “Unë kërkoj që ju të mbani premtimet e dhëna. Qëllimi i të gjithëve është që të kemi një shtet të qëndrueshëm ekonomik”.

Në konferencën e donatorëve ishin premtuar 1.2 miliard euro. Ekonomistët e vendit kanë përsëritur se paratë e premtuar nuk kanë sjellur një zhvillim ekonomik në vend. Sipas tyre mungesa e kapaciteteve qeveritare dhe e projekteve konkrete kanë bërë që mjetet e premtuara të vonohen./tvklan.al