Pas nëj viti beteje në gjyqësor, Fredi Beleri duke se është dorëzuar. Ai ka pranuar për gazetën “To Vima” se ka hequr dorë nga përpjekja për t’u bërë kryetar i bashkisë së Himarës. Në 1 vjetorin e prangosjes ai ka dhënë një intervistë nga burgu për gazetën greke ku ka lënë të kuptohet se e ka humbur betejën e tij ligjore për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës dhe se tashmë synon vetëm të zgjidhet euro-deputet. Madje ai deklaron se do të mbështesë kandidatin që do caktojë Omonia për kryetar të bashkisë së Himarës.

“Për sa i përket Himarës, unë do të mbështes me të gjitha forcat kandidatin e Omonia-s. Dhe jam i sigurt se do të mund t’i fitojmë sërish zgjedhjet. Me nominimin tim, populli është inkurajuar dhe imagjinoni sa i lartë do të jetë morali i njerëzve nëse zgjidhem. Ata që na nënvlerësuan do ta kuptojnë se kanë bërë një gabim të madh.”

Gjithsesi Beleri thotë se betejën e tij ligjore do ta vazhdojë tashmë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, pasi vazhdon të besojë se u ndalua të bëhet kryebashkiak pa prova dhe me një prokurori sipas tij të kontrolluar nga pushteti në Tiranë.

Fredi Beleri është dënuar nga Gjykata e Posaçme me 2 vite për akuzën e korrupsionit zgjedhor. Ai u kap në flagrancë duke dhënë para për të blerë vota.

Klan News