Është vetë dorëzuar në polici i dyshuari kryesor për atentatin ndaj kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni Ali Ahmetit. Bëhet fjalë për Vullnet Xhelilin 29-vjeçar që bashkë me Faruk Iljazin të arrestuar një ditë më parë morën pjesë në sulmin e armatosur kundër Ahmetit.

Sipas policisë Xhelili qëlloi në shenjë hakmarrje për një të afërme të tij shtatzënë, e cila u vra 5 vjet më parë kur BDI ishte në pushtet gjatë një aksioni policor në fshatin Rakovec të Tetovës. 29-vjeçari rezulton i akuzuar edhe për trafik të qenieve njerëzore.

Kreu i BDI-së Ahmeti i shpëtoi atentatit falë makinës së blinduar mbi të cilën siç e shihni nga këto pamje që vijnë nga Tetova është qëlluar disa herë. Për këtë sulm Ahmeti akuzoi drejtpërdrejt njerëz të lidhur me PDSH e Maqedonisë të Menduh Thaçit.

Kjo parti hodhi poshtë akuzat dhe tha, se BDI nxiste urrejtjen mes shqiptarëve. Kjo ngjarje vërteton ndarjet e thella që ekzistojnë mes partive shqiptare të Maqedonisë në vazhdën e fushatës elektorale të zgjedhjeve të 1 qershorit./tvklan.alGazetare: Urita Dokle