Lajme Arkiva – TV Klan 2004

14 Shtatori i vitit 1998, mbahet mend jo vetëm si kryengritja e armatosur, por edhe si emri që mban dosja më e zvarritur për të cilën gjykata ende nuk ka dhënë vendim. Numri i të arrestuarve që u akuzuan për kryengritje dhe thirrje anti-kushtetuese ishte mjaft i madh dhe për këto dy akuza kodi penal parashikon maksimalisht dënimin me nga 15 vjet burg. Ndër të akuzuarit, një pjesë qenë aktivistë të PD, drejtues të TVSH, gazetarë etj.

Emrat si Sali Lusha, Dem Dollapi, Alfon Zeneli, Antoneta Malaj, Myftar Lumneshi, e plot të tjerë, figurojnë si persona të akuzuar, por se po bëhen vite që kur ata u liruan nga burgu pasi u përfundoi afati i paraburgimit. Ndërsa proceset e dosjes së ndarë në tre grupe, mbeti thuajse në vend.

Drejtësia nuk bëri asnjë hap përpara, përsa i përket këtij super procesi, pasi këta persona nuk janë as fajtorë dhe as të pafajshëm. Ndonëse zbehja e tij qe një marrëveshje e heshtur që kjo dosje të mbetej thjeshtë në zyrat e gjykatës. Numri i madh i kasetave me filmimet e ngritjes që arriti kulmin para kryeministrisë, apo dëshmitarëve, nuk i hapi rrugë ndonjë vendimi të arsyetuar të gjykatës, se cilët janë organizatorët e kësaj kryengritje.

Të fundit që lanë qelinë nga mbi 20 të arrestuar që ishin në fillim për këtë ngjarje, qenë Sali Lushaj, aktualisht me strehim politik në Belgjikë dhe Dem Dollapi./tvklan.al