Nga grumbullimi i kombëtares shqiptare për sfidën kualifikuese ndaj Anglisë në konferencë për shtyp doli mesfushori, Qazim Laçi. Në fjalën e tij, ai ka theksuar se kur gjendet me kombëtaren ka shumë emocione, ndërsa shton se tashmë ndihet mirë dhe dëmtimin e ka kaluar plotësisht.

“Ndihem shumë mirë tani, kisha një dëmtim, e kalova pak si shpejt. Jam shumë i motivuar që erdha këtu dhe ndihem çdo herë krenar që vij me ekipin kombëtar dhe po pres me shumë shpirt e zemër për ndeshjet”.

Mbrojtësi që aktivizohet me Salernitanën, Frederik Veseli beson ende se kuqezinjtë mund të realizojnë një mrekulli në këto eliminatore.“Si grup mund t’ia dalësh nëse punojmë mirë, punojmë bashkë për të mos humbur luftimin e ndeshjes. Pastaj, normale, nëse ka mundësi dhe shoku të të ndihmojë është më mirë. Gjëja më e rëndësishme në këtë ndeshje për t’u mbrojtur ndaj lojtarëve të Anglisë është të pranojmë dyluftimin individual një kundër një dhe të fitojmë”.

Kombëtarja shqiptare luan ndaj Anglisë në “Wembley” më 12 Nëntor për llogari të grupit I, në kuadër të kualifikueseve të Botërorit të Katarit 2022.

Klan News