Dy shkencëtarë amerikanë janë fitues të çmimit Nobel në Mjekësi për këtë vit. Ata janë Viktor Ambros dhe Gari Ruvkun, të cilët u vlerësuan me një prej çmimeve më të rëndësishme në këtë fushë për zbulimin e mikroARN-së.
Ata zbuluan se mikroARN-të janë përcaktuesit fillestarë të rolit që marrin qelizat gjatë zhvillimit të tyre në inde të ndryshme të trupit. Çdo qelizë përmban të njëjtin informacion gjenetik të papërpunuar që ndodhet në ADN, por me zhvillimin e trupit që në embrion ato marrin forma dhe funksione të ndryshme. Si shembull merren impulset elektrike të qelizave nervore, të cilat dallojnë nga rrahjet ritmike të qelizave të zemrës.
Sipas shkencëtarëve amerikanë, janë pikërisht mikroARN-të që bëjnë të mundur që gjenet të shprehen dhe t’u japin qelizave format e veçanta, duke krijuar shumëllojshmëritë e tyre.
Ata do të ndajnë së bashku rreth 1 milionë Euro. Nobeli në Mjekësi është i pari mes çmimeve të këtij lloji në fusha të ndryshme që do të jepen këtë javë, krahas atij në Fizikë, Kimi, Letërsi, për Paqen dhe Ekonomi.
Tv Klan