Anija cisternë e “Evangelos G” është përfshirë nga flakët në det të hapur në zonën e Kavajës rreth 6 milje larg bregut. Për pasojë dy marinarë janë lënduar dhe janë dërguar në Tiranë, ku po kurohen në repartin e djegieve me plagë të rënda.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës në kohën kur anija me flamur panamez po udhëtonte nga porti i Durrësit në drejtim të portit të Vlorës, por pa pritur ajo ka marrë flakë duke vënë në rrezik jetën e 8 pjesëtarëve të ekuipazhit, të gjithë shqiptarë.

Një defekt në motorin e anijes mendohet të jetë dhe shkaku i zjarrit, por ende nuk dihet me saktësi se si ndodhi. Dy marinarët Alban Lika 36 vjeç dhe Bujar Bejko 30 vjeç, janë plagosur pikërisht në momentin që kanë tentuar të fikin zjarrin dhe të riparojnë defektin në motor.

Në ndihmë të marinarëve që gjendeshin në anijen Evangelos G, ka ardhur policia e Durrësit dhe ajo kufitare, të cilat kanë bërë të mundur transportin e të plagosurve nga deti në drejtim të portit. Ndërkohë pas shuarjes së flakës dhe kalimit të fazës së emergjencës, anija është larguar nga vendngjarja, por ende nuk është ankoruar në portin e Durrësit.

Anija do t’i nënshtrohet kontrollit nga një grup hetimor i përbërë nga polic e prokurorë, që do të përcaktojnë edhe shkaqet e kësaj ngjarje e cila për fat të mirë ka përfunduar pa viktima. Gjithashtu për ngjarjen do të dëshmojnë të gjithë pjesëtarët e ekuipazhit. Kapiteni Lulzim Luho dhe punëtorët e tjerë Lulzim Pasha, Llukan Bilali, Nexhmi Boraj, Haki Sheqiri, Ilir Marjana dhe dy të plagosurit Alban Lika dhe Bujar Bejko./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami