Partia VMRO-DPMNE është fituese e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ajo fitoi 58 vende në parlamentin prej 120 vendesh. Ndërkohë edhe kandidatja e kësaj partie për postin e presidentit, Gordana Siljanovska Davkova, shënoi fitore të thellë në balotazhin e 8 majit.

Për të folur lidhur me këto zgjedhje dhe situatën në Maqedoninë e Veriut në studion e Klan News me gazetarin Besard Jacaj ishte zëdhënësi i koalicionit “VLEN”, Izet Mexhiti i cili teksa u pyet lidhur me faktin nëse roli i shqiptarëve në këto zgjedhje do të forcohej nëse do të ishin pjesë e një subjekti politik u shpreh se kjo do të ishte e dëmshme për shqiptarët.

-Sa do të forcohej roli i shqiptarëve nëse këto rreth 30 deputetë do të ishin të gjithë së bashku, të gjithë pjesë e një subjekti politik dhe që kanë të gjithë të njëjtën linjë pro-europiane dhe pro-euroatlantike në Maqedoninë e Veriut?

Izet Mexhiti: Mendoj që kjo do të ishte e dëmshme për shqiptarët në Maqedoni sepse do të dilte jashtë rregullave të demokracisë pasi demokracia nënkupton një betejë, konkurrencë dhe nëse shqiptarët do të ishin në një subjekt ato do të ishin pa opozitë, pa konkurencë  dhe aty do të eliminohej vlera e votuesit do të ishte zero, për shkak se nuk do të kishte mundësi për ta korrigju askush pushtetin në çfarëdo qeverie. Një situatë e ngjashme në këto 20 vite ka pasur një opozitë, por një opozitë e dobët dhe kjo e ka dobësuar BDI. Po të kishte një opozitë të tillë si “VLEN” tani mendoj që edhe pozita nuk do të lejojë të gabojë kaq sa ka gabuar. Dua ta rezymoj për shqiptarët aq sa është e dëmshme të ketë dhjetë parti politike po ashtu është e dëmshme të ketë edhe vetëm një parti politike. Më e mira për shqiptarët është të ketë pozitë dhe opozitë të fuqishme dhe ata të jenë vazhdimisht në një betejë politike, betejë të ideve, programeve dhe platformave të tjera.

Ndërkohë gjatë fjalës së tij ai u ndal edhe tek deklaratat e Ali Ahmetit që po tentohet eleminimi i tij politik. Mexhiti u shpreh se tashmë Ali Ahmeti nuk ka se çfarë t’i japë më shumë politikës shqiptare në Maqedoni dhe se i duhet të reformojë partinë.

Izet Mexhiti: Do të shohim do të jetë i dyti apo i treti. Për herë të parë Aliu ka kaluar në konceptin qytetarë. Nuk përfaqëson shqiptarët, por një koncept qytetar aty ka boshnjakët, turqit, romët që është legjitime, por nuk mund të thirret në të njëjtën kohë edhe koncepti qytetar edhe koncepti shqiptarë. E dyta nëse ne pretondojmë për një demokraci evropiane, amerikane atje shumë rrallë ose hiç ka liderë që janë në pushtet 22 vite. Një mandat mund të jetë pak, dy mund të jenë më se të nevojshëm dhe me dy mandate duhet të përfundojë. Ahmeti ka mandatin e pestë dhe pretendon të gjashtin, kështu që mendoj që nuk ka më se çfarë i ofron dhe i jep politikës shqiptare në Maqedoni. I duhet të kalojë në opozitë, të reformojë partinë dhe të reformohet në pozitë pasi është tjetërsuar krejtësisht. Nuk ka të bëjë asgjë këtu me figurën e Ahmetit. Përkundrazi shqiptarët kanë nevojë që t’i përfaqësojë një gjeneratë e re një politikë më dinamike, politike me praktike dhe pragmatike që të jetë në shërbim të shqiptarëve dhe çështjeve shqiptare.

Ndërsa lidhur me akuzat se Albin Kurti ka ndërhyrë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, Mexhiti i ka quajtur ndërhyrje vëllazërore.

Izet Mexhiti: Unë edhe në fillim e kam thënë që ne jemi pjesë e kombit shqiptarë, pra ato janë ndërhyrje vëllazërore dhe unë nuk shoh të keqe edhe atë që Edi Rama një ditë para zgjedhjeve ka kërkuar votë për Ali Ahmetin, një javë para zgjedhjeve e ka shpallur qytetarë të Tiranës, Kukësit të Prizrenit e shpallën linja tjetër. Unë nuk shoh, këto ndërhyrje i shoh normale sepse jemi pjesë e një kombi, jemi vëllezër dhe duhet të bashkëpunojmë deri në pikën ku nuk rrezikojmë interesin e këtij shteti. Fundja e fundit shqiptarët në Maqedoni e duan politikën e Albin Kurtit. Pra nuk duhet t’i bëjmë tragjike këto sepse na kthen një ndjenjë në të shkuarën kur pala maqedonase dhe pala serbe kanë dashur ta drejtojnë gishtin drejt Kosovës që gjithçka e keqe vjen nga Kosova.

Sa i përket betimit të Presidentes së vendit ku nuk përmendi termin Maqedonia e Veriut, por vetëm Maqedoni, Mexhiti u shpreh se i kanë kërkuar Presidentes të sillet në mënyrë institucionale duke e cilësuar një lapsus veprimin e saj.

“Edhe pse ka 58 deputete ne votuesin tonë e kemi thirrur në raundin e dytë të votojë sipas dëshirës, nuk kemi thirrë drejtëpërdrejt si partner i ardhshëm i koalicionit për kryetaren e re të Maqedonisë. Ideja jonë ka qenë që të dalim me një kandidat shqiptarë. Ideja jonë ka qenë që të demonstrojmë para botës se shqiptarët nuk janë pakicë, por janë shumicë e dytë në Maqedoni që kanë potencial dhe kapacitet ekonomik, politik, intelektual, pra të garojnë edhe për President dhe nëse i anlizojmë rezultatet, një kandidat shqiptarë do kishte mbi 200 mijë vota dhe me garanci do të ishte në raundin e dytë zgjedhor, ja lamë opinionit dhe votuesve që të vlerësojnë për dëmin që ka bërë BDI që kandidoj zotin Osmani pasi kandiduam ne kandidatin. Sa i përket deklaratës së fundit ne kemi pasur një komunikatë për shtyp që i kemi kërkuar kryetares të sillet me përgjegjësi dhe kemi reaguar që fushata ka mbaruar dhe duhet të sillemi në mënyrë institucionale. Dokumentin që ka nënshkruar e ka nënshkruar si Maqedonia e Veriut dhe në fjalim ka bërë një lapsus ku nuk e ka përmendur që është Maqedonia e Veriut, por vetëm Maqedoni”, u shpreh Izet Mexhiti./tvklan.al