Një ditë pas deklaratave mbështetëse të ambasadorit amerikan për hetimin e prokurorisë për çështjen “Gërdeci”, kryetari socialist, Edi Rama, ka akuzuar mazhorancën aktuale se po ushtron presion mbi organin e akuzës për t’i penguar këto hetime.

Ndonëse nuk i është referuar konkretisht deklaratave të Withers kreu i opozitës theksoi se nuk do të lejohet asnjë prej strukturave qeveritare të pengojë hetimin e plotë dhe të vihen para drejtësisë autorët e ngjarjes.

Edi Rama: “Ta harrojë kryeministri Sali Berisha, spikerja e parlamentit, Jozefina Topalli, ish-Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe të gjitha forcat qeveritare se pasi hodhën në erë njerëzit e pafajshëm në Gërdec me papërgjegjshmëri, paaftësi dhe korrupsionin që ka kapur në fyt shtetin e tyre do të hedhë në erë dhe hetimet për zbardhjen deri në fund të një të vërtete pa të cilën s’ka Shqipëri demokratike dhe evropiane.”

Ndërkaq kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, ka konfirmuar se i ka kërkuar zyrtarisht një takim kryeparlamentares Topalli, ku do të parashtrojë kërkesën për të përfshirë në një seancë sa më të afërt shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu./tvklan.al