Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka nisur nga Shkodra fazën e dytë të “Dialogut me Shqipërinë”.

Në një takim me arsimtarë dhe pedagogë të kësaj zone Rama ka bërë publike nismën mbi të cilën do të ndërtohet programi i ri qeverisës i socialistëve.

Sipas tij arsimi dhe papunësia do të jenë dy shtyllat kryesore të këtij programi.

Edi Rama: “Asnjëherë papunësia dhe arsimi nuk janë parë të lidhura bashkë dhe asnjëherë arsimi nuk është parë si gjeneratori kryesor i punësimit në një vend ku nuk krahasohemi me asnjë nga fqinjët tanë në raportet mes arsimit të përgjithshëm dhe arsimit profesional”.

Kryesocialisti ka shprehur vendosmërinë për të bërë ndryshime thelbësore në sistemin arsimor shqiptar.

Edi Rama: “Besoj me të gjithë forcën e mendjes se ne e kemi të domosdoshme të çajmë një rrugë të re për arsimin në Shqipëri duke i konsideruar fëmijët, të rejat dhe të rinjtë, qytetarë aktivë dhe të vlefshëm me dijen dhe me krahun e tyre të kualifikuar të punës”.

Faza e dytë e “Dialogut me Shqipërinë”, e quajtur “Rruga e ideve për të ardhmen” do të vazhdojë me takime në të gjithë vendin gjatë muajit Shtator./tvklan.al